22:51 / E Martë, 06 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Sekuestrohen armë në Suharekë e Prizren

Në dy raste të ndryshme, në Suharekë dhe në Prizren janë sekuestruar dy armë të shkurta të cilat janë gjetur në pronësi të qytetarëve.

“Hetuesit policorë në Suharekë e kanë përcjell një të dyshuar gjatë lëvizjeve nëpër pazar dhe në një moment të përshtatshëm është ndaluar dhe gjatë kontrollit është gjetur një armë e shkurtër artizanale me një fishek të pushkës së gjahut”, thuhet në komunikatën e policisë rajonale.

Arma, sipas policisë është sekuestruar ndërsa i dyshuari, pas intervistës, është liruar për t’u përballur me drejtësinë sipas procedurës së rregullt.

Ndërsa rasti i dytë është kryer nga hetuesit rajonal të cilët kanë ndjekur gjurmët e një ekspozimi të armës në rrjetet sociale. I dyshuari e ka dorëzuar një pistoletë me mbishkrim “Liberty ME 8” pa fishekë. Edhe ky rast ndiqet sipas procedurës së rregullt./Indeksonline/