19:16 / E Premte, 26 Shkurt 2021 / Blerim

Sekuestrohen dy armë zjarri në Prishtinë

Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë, po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme policore për të siguruar rendin dhe qetësinë publike në rajonin e Prishtinës.

“Në kuadër të veprimeve operative që po kryen policia me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave kriminale, sot nga zyrtarët e  Njësitit për  Reagim të Shpejtë,  gjatë kontrolleve rutinë (në dy vetura)  dy lokacione të ndryshme (në rrugën “Xheladin Hana” dhe në rrugën “Selman Kadriu”) në Prishtinë, janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri: -një revole CZ me tre fishekë dhe -një revole Sig Sauer me 13 fishekë”, ka bërë të ditur për IndeksOnline zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ahmeti ka theksuar se personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionet përkatëse  policore  dhe ndaj tyre në konsultim me prokurorin e shtetit, janë iniciuar rastet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës.