75 Mall Live Search
18:18 / E Hënë, 09 Mars 2026 / F.R

Sekuestrohen rreth 20 m³ dru të përpunuar pa dokumentacion në Podujevë

Rreth 20 metra kub dru të përpunuar janë sekuestruar nga autoritetet gjatë një aksioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës në kuadër të Planit Operativ “Gatishmëria Vepruese-2026”.

Sipas policisë, rasti ka ndodhur sot rreth orës 11:40 në fshatin Lupç të komunës së Podujevë, ku njësitë e Sektorit për Operativë në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Kufirit – Lindja kanë ndaluar një kamion të tipit MAN me targa RKS (01), i cili drejtohej nga i dyshuari me inicialet K.B. (1991), shkruan IndeksOnline.

Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë konstatuar se kamioni ishte i ngarkuar me rreth 20 metra kub dru të përpunuar (dërrasa), për të cilat drejtuesi nuk posedonte dokumentacion valid për transport, si dhe as dokumentacion për ushtrimin e veprimtarisë biznesore për përpunimin e asortimenteve drunore.

Masa drusore është inspektuar dhe sekuestruar nga inspektorët e Agjencia e Pyjeve të Kosovës, ndërsa më pas është dërguar në depon e kësaj agjencie për procedura të mëtejme.

Me autorizim të prokurorit kompetent është iniciuar rasti për veprat penale “Tregti e ndaluar” dhe “Transport i kundërligjshëm i druve”, ndërsa rasti do të trajtohet nga njësitë përkatëse sipas kompetencës.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe në mbrojtjen e pasurisë natyrore të vendit./IndeksOnline/