75 Mall Live Search
12:52 / E Premte, 12 Shtator 2025 / A

Sekuestrohet prona milionëshe në Veternik e cila dyshohet se u fitua me vepër penale

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 11 shtator 2025, ka urdhëruar ndalimin përfundimtar të pronës rreth 3 hektarëshe në Veternik, ku Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi dyshohen se kanë kryer veprën penale “Legalizim të përmbajtjes se rreme” dhe “mashtrimit”.

Ky vendim vjen pasi Apeli e ktheu për herë të pestë çështjen e sekuestrimit të pronës milionëshe, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë më 15 maj 2024 kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për lëshimin e urdhrit ndalues përfundimtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prona rreth 3 hektarëshe, për të cilën “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar më 13 shtator 2021, dhe kishte zhvilluar debat në emisionin “Tempus”, dyshohet se iu është marrë Nexhat dhe Gursel Sadikut përmes mashtrimit dhe dokumenteve të falsifikuara. Për këtë po hetohen Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi.

Betimi për Drejtësi”, më 26 tetor 2024, publikoi hulumtimin “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”. Ndërsa, paraprakisht, më 6 prill 2024, kishte publikuar hulumtimin “Beteja” për pronën milionëshe në Veternik”, ku tregohej se si çështja e sekuestrimit të pronës kishte shkuar sa në shkallë të parë, sa në shkallë të dytë dhe nuk është marrë një vendim përfundimtar, gjersa dëmi po rritej.

Gjykatës Themelore në Prishtinë, me vendimin e 11 shtatorit ka ndaluar shitjen, blerjen, qiranë dhe çdo formë tjetër ku shtrihet pjesa e ngastrës më numër 10433-0.

Gjithashtu, është urdhëruar Komuna e Prishtinës që të mos bëjë bartje/regjistrim apo tjetërsime që kanë të bëjnë me këtë ngastër.

Të pandehurit Ylber Hyseni,  Kompanisë Lirimi &ACL dhe gjithë bashkëpronareve tjerë në këtë pronë iu është ndaluar shitja apo transferimi i pronës për shkak se dyshohet se është fituar me vepër penale.

Këtë urdhër do ta ekzekutoj Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar në afat prej 15 ditësh. Ndërsa, Policia e Kosovës obligohet që ta zbatoj këtë urdhër ndalues, duke u kujdesuar për pasurinë e Sekuestruar.

Në anën tjetër, edhe Agjencia Kadastrale e Kosovës është obliguar ta zbatoj këtë urdhër ndalues përfundimtar.

Në arsyetimin e Gjykatës thuhet se pas pranimit të aktvendimit të kolegjit të Gjykatës se Apelit, duke marrë parasysh sugjerimet dhe vërejtjet, ka analizuar të gjitha shkresat e lëndës dhe konsideron se prokuroria me prova të artiukuleshme vërteton standardin e dyshimit të bazuar se i pandehuri Ylber Hyseni ka kryer veprat penale “legalizimi i përmbajtjes se rreme”, dhe “mashtrimi”.

Sipas Gjykatës, nga raporti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, sipas mendimit përfundimtar të eksperteve konstatohet se gjurma e vulës EX1 nuk përputhet me gjurmët e vulave EX2, dhe nuk janë shtypur nga makina e njëjtë e shkrimit.

Gjithashtu, të pjesa e nënshkrimit të pjesa “Sekretar”, nuk janë shkruar nga shkruesi i njëjtë. Gjykatës, i janë bashkëngjitur edhe prova tjera për këtë pronë.

Tutje, thuhet se Prokuroria, ka specifikuar pasurinë për të cilën kërkohet lëshimi i urdherit ndalues përfundimtar, që është një prej kushteve ligjore.

Gjykata thotë se është përmbushur edhe kushti se konfiskimi i pasurisë  pasuria e specifikuar është i nevojshëm për të ruajtur disponueshmerinë e pasurisë në të ardhmen, përfshirë parandalimin e zvogëlimit të vlerës se pasurisë.  Kjo pasi, sipas Gjykatës kjo pasuri është e nevojshme të ndalohet pasi dyshohet se është fituat me vepër penale.

Gjykata ka gjetur se Prokuroria ka provuar faktin se palët që kanë interes në pasurinë e specifikuar janë njoftuar nga prokurori i shtetit lidhur me kërkesën për lëshimin e urdherit ndalues përfundimtar.

Veç kësaj, Gjykata më 29 prill 2024, ka mbajtur seancën dëgjimore, ku përfaqësuesi me autorizim i palëve, avokati Venhar Hana ka kundërshtuar kërkesën për lëshimin e urdherit ndalues përfundimtar, duke thënë se provat e prokurorisë nuk paraqesin as standardin minimal të dyshimit të bazuar se prona është fituar me vepër penale.

Edhe blerës tjerë në këtë pronë kishin kundërshtuar ndalimin e pronës, duke thënë se ata kanë blerë token në mënyrë ligjore, për çka posedojnë edhe dëshmi.

Por, Gjykata thotë në arsyetim thotë se pas analizimit të të gjitha provave ka gjetur se kërkesa e prokurorisë është e bazuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht gjykatësja e procedurës paraprake, Edita Çanta, më 18 dhjetor 2022, për herë të parë do të lëshonte urdhrin për sekuestrim të përkohshëm.

Por, pas një muaji, e njëjta gjyqtare kishe marrë aktvendim për refuzimin e kërkesës për lëshimin e urdhrit ndalues përfundimtar. Kështu, rasti kishte shkuar edhe katër herë të tjera në Apel, e cila gjykatë kishte kthyer rastin në rivendosje, por Themelorja prapë kishte vendosur mos të lëshonte urdhër sekuestrues për këtë pronë.

Hulumtimi i “Betimi për Drejtësi” dhe diskutimi i zhvilluar në “Tempus”, do bënte që Prokuroria të trajtonte kallëzimin penal të bërë nga palët dhe të niste hetimet ndaj Ylber Hysenit, me dyshimin se ka kryer veprën penale të “Mashtrimit” dhe “Legalizimit të përmbajtjes së rreme”, si dhe do kërkonte sekuestrimin e përkohshëm të pronës në Veternik, në të cilën veç kishin nisur punimet.

Ndërsa, më 6 prill 2024, “Betimi për Drejtësi”, ka publikuar hulumtimin “Beteja” për pronën milionëshe në Veternik”, ku tregohej se si çështja e sekuestrimit të pronës kishte shkuar sa në shkallë të parë, sa në shkallë të dytë.

Kurse, “Betimi për Drejtësi” më 26 tetor 2024, publikoi hulumtimin “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”, ku tregohej se si Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte vendosur t’ia falte besimin një prove të ardhë përmes postes “DHL Serbia”, duke injoruar përgjigjen zyrtare të ardhë përmes bashkëpunimit me ILECU.

Prokurorja Nebahate Salihu, këtë përgjigje zyrtare nuk e kishte përfshirë as në aktvendimin për pushimin e hetimeve. Ndërsa, zarfi i referohej kërkesës së Ministrisë se Drejtësisë. Kjo e fundit ka thënë se nuk ka marrë asnjëherë përgjigje lidhur me këtë kërkesë, e cila shkon përmes zyrës se BE-së, njësoj edhe përgjigja.

Në këtë zarf të dërguar përmes rrugëve jozyrtare, kinse gjendej historiku i kësaj prone 9 hektarëshe dhe i referohej Kosovës Republikë, çka sipas palëve ngriste dyshimin për një falsifikim tjetër të radhës.

Më 29 tetor 2024, me një përgjigje me shkrim për “Betimi për Drejtësi”, Danilo Radunoviq, përgjegjës i Departamentit të Arkivave të Entit Republikan i Gjeodezisë në Serbi, ka thënë se ata nuk kanë asnjë lidhje me ketë dërgesë.

“Enti Republikan i Gjeodezisë-Departamenti i Arkivës dhe unë personalisht, nuk kemi asnjë lidhje me dërgesën e DHL që ju e përmendni, si dhe nuk e kemi njohuri se kush e ka dërguar”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni të Serbisë.

Po ashtu, në përgjigjen e këtij institucioni të Serbisë, thuhet se Enti Gjeodezik Republikan lëshon dhe dërgon dokumente vetëm në mënyrën e përcaktuar me ligj dhe kjo nuk dërgohet përmes Postës “DHL”.

Hulumtimi i “Betimi për Drejtësi” tregon se si po hetohet edhe noterja Valdete Ademi që kishte noterizuar këto dokumente, e cila shihet se ka shoqëri me gruan e të dyshuarit Afrim Gashi, Melihate Gashin. Për Gashin, Njësia e Inteligjencës Financiare kishte rekomanduar Policisë që të hetohej për transaksione të dyshimta dhe evazion fiskal.

Në një foto ku noterja dhe Melihate Gashi shihen në shoqërimin e njëra-tjetrës, prokuroja që ka mbyllur rastin- Nebahate Salihu, kishte komentuar duke i dërguar një “lule të madhe”.

Prokurorja Salihu kishte refuzuar të përgjigjet se pse kishte mbyllur hetimet për këtë rast bazuar në një zarf.

“Përgjigjem me kohë. Ju kam tregu edhe herën e kaluar, se jam për ngutë, e kam një kërkesë atje. Më fal”, kishte thënë prokuroria Salihu.

Ndryshe, djali i Nexhat Sadikut, Ergyn Sadiku, i cili pretendon të jetë pronari i vërtetë i kësaj prone, thotë se arsyeja se po hasin në pengesa për të zbardhur ketë rast është se mbrapa të dyshuarve qëndrojnë njerëz të fuqishëm.

“Kemi gjetur fotografi që janë të komentuara në rrjete sociale mes anëtareve të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale z. Blerim Isufaj, fëmijët e tij bëjnë komente tek familja e Afrim Gashit, konkretisht i bëjnë komente bashkëshortes së Afrim Gashit, Melihate Gashit”, ka thënë Ergyn Sadiku.

Prokuroria e Apelit, pas ankesës së palëve, kishte kthyer rastin në rivendosje dhe ka treguar se si Themelorja të veprojë tutje.

Në këtë rast, pronarë të rreth 3 hektarë tokë pretendojnë të jenë Nexhat dhe Gursel Sadiku. Detajet nga hulumtimi, mund t’i gjeni: KËTU.

Pas hulumtimit “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”, prokurorja Nebahate Salihu është përjashtuar nga rasti i pronës në Veternik-Prishtinë.

Ndërsa kishte reaguar edhe ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu duke thënë se ky rast është shembull se si ka funksionuar e funksionon ende drejtësia në Kosovë.

Këtë pronë, Nexhat dhe Gursel Sadiku pretendojnë se e kishin në posedim dhe e kishin punuar qysh nga viti 1938. Pasi kishin kuptuar se toka iu është marrë nga komuna, familja Sadiku kishte bërë padi në vitin 1984 për të vazhduar me disa procedura deri pas luftës. Në vitin 2010, kësaj herë në Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme, ata do bënin padi ndaj “Kosova Eksport” që përfaqësohej nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Për dallim nga familja Sadiku, të cilët të drejtën e pronësisë për rreth 3 hektarë në gjykatën e kishin kërkuar qysh nga 1984, këtë parcelë përfshirë edhe parcelat tjera, në total 9 hektarë në “Veternik”, e kishte fituar Zojë Hyseni, 86 vjeçare.

Padia e 86 vjeçares e bërë tek më 9 dhjetor 2014 ishte trajtuar në kohë rekord ku më 14 shtator 2015, pra për vetëm 9 muaj e 6 ditë, iu ishte njohur e drejta e pronësisë. Aktgjykimi ishte marrë pak ditë para se të ndërronte jetë Zojë Hyseni, ndërsa Gjykata për vdekjen e saj ishte njoftuar tek në vitin 2019, pasi ky vendim ishte bërë i plotfuqishëm.

Në anën tjetër, padia e familjes Sadiku megjithëse ishte bërë para asaj të Hysenit, ajo u trajtua 7 vite pas, në vitin 2017. Madje, u trajtua nga po i njëjti Kolegj, i cili padinë e saj, e kishte hedhur poshtë në mungesë legjitimiteti të palëve.

Pas ankesës, më 2021 shkalla e dytë e Dhomës së Posaçme të Gjykatës se Supreme, kishte ndryshuar vendimin e shkallës së parë dhe padinë e kishte refuzuar si të pabazuar mbi bazën se kjo çështje tashmë është çështje e gjykuar.

Pra, kolegjet vendosën për padinë e dytë, të bërë në vitin 2014 dhe jo për padinë e parë të ushtruar në vitin 2010. Zojë Hyseni të drejtën e pronësisë e kishte fituar në bazë të dokumenteve të viteve ’60-ta të nxjerra aso kohe në gjuhën serbe, për të cilat palët po ngrisin dyshime se të njëjtat ishin të falsifikuara.

Këto dokumente i kishte noterizuar noterja Valdete Ademi, e cila në deklaratën e saj në Polici kishte deklaruar se me përgjegjësi të plotë deklaron se ajo këto dokumente i kishte noterizuar nga origjinali dhe se ajo asnjëherë nuk noterizon diçka pa pasur në dorë origjinalin.

Megjithëse, sipas aktgjykimit të Gjykatës mbi bazën e së cilit Zojë Hyseni e kishte fituar pronën thoshte se, origjinali i tyre gjendej në arkivat përkatëse të Komunës së Prishtinës, e vërteta nuk qëndronte ashtu.

Palët Sadiku, privatisht kanë bërë një ekspertizë të dokumentit “Resenje Broj ”, të vitit 1961 e që sipas ekspertizës nga mostrat e analizuara vula nuk është e njëjtë me mostrat e marra të asaj kohe, si dhe nënshkrimi nuk është i zyrtarit që ka nënshkruar.

Për më tepër, palët kanë pretendime edhe për dokumente tjera, të cilat Kolegji i kishte marrë parasysh, e që sipas tyre datat e lëshimit të dokumenteve rezultojnë ditë vikendi.

Emri i të ndjerës Zojë Hyseni, dyshohet të jetë përdorur për një skemë të madhe mashtrimi, pikërisht nga djali i saj Ylber Hyseni. Ai në të gjitha dokumentet do paraqitej si përfaqësues i saj, e më pas edhe si trashëgimtari  i vetëm.

Për këtë, do trashëgonte pronën milionëshe në Veternik, për të cilën nuk do vononte ta parcelizonte dhe shiste.

Për këtë rast, ishte lëshuar urdhërarrest për Ylber Hysenin i cili gjendej në arrati, ndërsa ishte arrestuar bashkëpunëtori i tij Afrim Gashi, i cili ishte i autorizuar nga Ylber Hyseni për të bërë shitblerjen e kësaj prone.

Për Afrim Gashin dhe gruan e tij Melihate Gashin, raport ka nxjerrë edhe Njësia për Inteligjencë Financiare, kur ka kërkuar të hetohen për transfere të dyshimta dhe shmangie nga tatimi.

Në anën tjetër, avokati Venahr Hana, i cili është edhe bashkëpronarë në këtë pronë, është në paraburgim pasi dyshohet për falsifikim të dokumenteve të pronës 4 hektarëshe të Radio Televizionit të Prishtinës (RTP), gjithashtu në Veternik.