Selajdin Beqa kthehet në punë dy javë pasi u suspendua se sulmoi kolegun, bëhet Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit të Konkurrencës

Vetëm dy javë pasi sulmoi kolegun e tij në vendin e punës, Selajdin Beqa është kthyer sërish në zyrën e tij në Autoritetin e Konkurrencës.
Në vend se ai të dilte para një komisioni disiplinor, kjo nuk ndodhi. Por, për çudinë e të gjithëve, Beqa, u kthye në të njëjtin institucion si Drejtor i Përgjithshëm i Sekretariatit të Autoritetit të Konkurrencës.
Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës (Bordi) i cili përbëhet nga 5 anëtarë (kryetarja, nënkryetari dhe tre anëtarët) kanë formuar Komisionin Disiplinor për të vënë nën përgjegjësi Beqën për sjelljen e tij.
Për më tepër, Bordi i AKK-së nuk ka dëgjuar as thirrjes e Shoqërisë Civile për të anuluar konkursin e kurdisur.
Më 29 nëntor 2023, mediet kanë raportuar se në vendin e punës, dyshohet se UD Selajdin Beqa ka sulmuar me grushte kolegun e tij të institucionit, Shemsi Elezin, drejtor në Departamentin e Mbikëqyrjes së Tregut në Autoritetin e Konkurrencës.
“Më ka sulmu prapa shpine, jam kanë në koridor, kam pas me shku me marr një letër, ai ka dalë prej zyrës edhe më ka sulmu në kry, më ka ra tri-katër herë në trup, por në kry mas shumti. Më ka sulmu me boksa, me duar, goditjet janë kanë shumë të forta, mbrapa shpinës, pa paralajmërim“, është cituar të ketë thënë i sulmuari Elezi për gazetën Insajderi.
Pas këtij sulmi, Elezi ka marrë trajtim mjekësor për goditjes që ka pësuar.
“Unë jam në spital aktualisht, emergjencën e kam pasur në stacionin e policisë, tash jam duke e pritë edhe vlerësimin për CD se a ka lëndime. Lëndimet nuk kanë qenë të vogla, me sa ka pas fuqi më ka ra“, kishte deklaruar Elezi.
Po sipas raportimeve, Elezi kishte thënë se Beqa i është përzier vazhdimisht në kompetencat e tij.
Beqa është bërë Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit të Konkurrencës duke shfrytëzuar nenin 42 të Ligjit për Zyrtarët Publikë të vitit 2019.
Sipas këtij neni, mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë përzgjedhë një nga 10 kandidatët fitues… brenda një periudhe 10 ditore nga shpallja e fituesve.
E në rast se mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë nuk shprehet brenda këtij afati, kandidati fitues me pikët më të larta në bazë të ligjit, konsiderohet i përzgjedhur në detyrë.
Beqa, në atë kohë Ushtrues Detyre, ishte renditur i pari në këtë konkurs, por Organizatat e Shoqërisë Civile, në një reagim publik më 17 tetor 2023, kanë alarmuar lidhur me këtë konkurs me dyshimin se është kurdisur për njërin kandidat – pikërisht Selajdin Beqën.
Thirrja e Organizatave të Shoqërisë Civile (Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS, Instituti GAP, Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP) kanë kërkuar njëzëri që të anulohej ky proces rekrutues.
Gjatë monitorimit të fazës së verifikimit paraprak për ketë proces rekrutues, CorrWatch ka identifikuar dy shkelje:
1. Shkelja e parë ka të bëjë me vendosjen e kriterit të posaçëm . Përveç që nuk është ndjekur procedura ligjore për caktimin e këtij kriteri, CorrWatch ngrit gjithashtu dyshimin që konkursi të i jetë kurdisur një kandidati të caktuar për faktin se vetëm një kandidat e plotëson këtë kriter. I njëjti është punonjës në AKRK dhe aktualisht zëvendësues i pozitës së drejtorit të përgjithshëm.
2. Shkelja e dytë konsiston në faktin që AKRK ka vendosur në listën e ngushtë kandidatët që nuk kanë plotësuar kriteret ligjore (siç janë kriteret e përgjithshme dhe ato të posaçme, pra ato që janë vendosur në konkurs nga AKRK). Ndonëse në listën e publikuar nga AKRK, për rezultatet nga verifikimi paraprak janë pesë kandidatë, CorrWatch ka konstatuar se tre (3) kandidatë kanë plotësuar kriteret e përgjithshme, ndërsa vetëm një 1 nga kandidatët e ka plotësuar edhe kriterin e posaçëm të përcaktuar në konkurs.
Nisur nga këto shkelje serioze të ligjit, CorrWatch kishte kërkuar anulimin e procedurës së rekrutimit për shkak të shkeljes së nenit 40, paragrafi 5, pika 5.1 të Ligjit nr.06-L-114 për Zyrtarët Publik. Ligji obligon vlerësimin e kritereve të përgjithshme dhe të posaçme e që në rastin konkret e plotëson vetëm 1 kandidat, ndërsa me ligj kërkohet që së paku dy (2) kandidatë duhet të kalojnë me sukses procedurën e konkurrimit.
