21:46 / E Mërkurë, 15 Maj 2019

Selena Gomez më e ndjekura në rrjetet sociale, por tregon frikën nga to

Selena Gomez është personazhi më i ndjekur në rrjetet sociale, por ajo nuk ka frikë të tregojë se ndikimi i tyre, sidomos në jetën e të rinjve është shumë negativ. Ditën e djeshme gjatë një konference në festivalin e Kanës për filmin e saj më të ri, “The dead don’t die”, Selena i ka cilësuar rrjetet sociale si të tmerrshme për gjeneratën e saj.

Kur u pyet se cilat janë rreziqet më të mëdha që i kanosen planetit, Selena u përgjigj: “Për brezin tim, rrjetet sociale kanë qenë të tmerrshme. E kuptoj se është bukur të kesh një platformë, por më frikëson kur shikoj se sa të ekspozuar janë vajzat dhe djemtë e rinj.

Unë mendoj se kjo është e rrezikshme”, ka thënë Selena. Këngëtarja ka shtuar se dhe ajo, pavarësisht se është personi më i ndjekur, e ka pasur të pamundur t’i bëjë platformat më të sigurta. Selena ka thënë se tregohet shumë e kujdesshme me postimet e saj, sepse dëshiron që të gjitha të kenë një qëllim. “Shikoj vajzat e reja…i kam takuar dhe ato janë të shkatërruara nga bullizmi dhe që nuk kanë një zë. Unë do tregohesha e kujdesshme dhe do vendosja disa limite”, është shprehur artistja e njohur. Selena Gomez herë pas here ka bërë pauza të gjata nga përdorimi i rrjeteve sociale dhe siç duket kjo gjë ka ndikuar shumë mirë tek ajo.