Selena Gomez rrëfen momentin pas martesës me Benny Blanco-n: Fillova të qaja nga frika se…

Këngëtarja dhe aktorja e njohur Selena Gomez ka ndarë një rrëfim të ndjerë mbi përjetimin e saj emocional menjëherë pas martesës me producentin Benny Blanco.
Gjatë konferencës “Fortune’s Most Powerful Women”, mbajtur më 15 tetor, Gomez tregoi se ndonëse dita e dasmës ishte një nga momentet më të lumtura të jetës së saj, ajo përjetoi një reagim të papritur dhe të fortë emocional.
“Mendova: ‘Do të vdes ditën tjetër.’ Nuk e di pse, por çdo herë që më ndodh diçka e bukur, një pjesë e mendjes sime më thotë se diçka e keqe do të vijë më pas”, rrëfeu këngëtarja 32-vjeçare.

Selena shpjegoi se ndonjëherë i është e vështirë të shijojë plotësisht momentet e lumtura, pasi shqetësimet dhe frika e humbjes e bëjnë të ndihet e pasigurt.
“Në vend që të them ‘Uau, kjo është e mrekullueshme’, menjëherë mendoj: ‘Të gjitha këto mund të zhduken nesër. Si ta parandaloj që të ndodhë’”, tha ajo.

Megjithatë, pavarësisht ankthit dhe brengave të brendshme, Gomez theksoi se ndihet e bekuar dhe shpreson të krijojë një familje me bashkëshortin e saj.

Kjo dëshirë është edhe më e rëndësishme për të, pasi më herët ka folur hapur për sfidat shëndetësore që mund ta vështirësojnë shtatzëninë.

Selena dhe Benny u njohën në fillim të vitit 2023 dhe e konfirmuan lidhjen e tyre në dhjetor të po atij viti.

Çifti u martua më 27 shtator 2025 në një ceremoni intime në Kaliforni, të rrethuar nga familjarët dhe miqtë më të afërt./ TAR