75 Mall Live Search
13:22 / E Mërkurë, 30 Mars 2022 / OSH

Selimaj: Pandemia dhe inflacioni kanë dëmtuar sektorin e ndërtimtarisë

Sektori i ndërtuesve dhe prodhuesve të materialit ndërtimor, në kuadër të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ka mbajtur një konferencë për medie me temën “Pengesat dhe sfidat e sektorit të ndërtimtarisë në Kosovë”.

Brahim Selimaj, kryetar i këtij sektori në AKB, ka kërkuar që bazuar në kontratat e përgjithshme të ndërtuesve të Kosovës, në bazë të Nenit 18, pika B, për shkak të Forcës Madhore të njihet e drejta e zgjatjes së afatit të punimeve, si dhe rishikim i çmimeve, për shkak të pandemisë dhe inflacionit që ka ndodhur muajve të fundit. Ai theksoi se në të kundërtën do të jetë e papërballueshme për kompanitë si kontraktues të punimeve në ekzekutimin e punimeve të ulëta dhe te larta.

Selimaj, në konferencën për medie, theksoi se pranvera e vitit 2020 solli pandeminë COVID-19, e cila shënoi një epokë dhe sfidë të re edhe për Kosovën dhe institucionet e saja në të gjitha drejtimet.

“Ndikimi i pandemisë ishte jashtëzakonisht i madh në përmbushjen e detyrimeve kontraktuale në projektet kapitale”.

“Ne si Shoqatë e ndërtuesve dhe prodhuesve te materialit ndërtimor kemi shumë vështirësi në furnizime me material, ekzekutime te punimeve, mungese të fuqisë punëtore për realizimin e punimeve të parapara për kontratat e nënshkruara paraprake”, tha Selimaj.

“Në kontratë është precizuar se ‘Forcë Madhore’ është pandemia dhe si e tillë sipas shpjegimit të Nenit 38, pika 1, mund të thuhet se kjo Pandemi dhe situata e krijuar për shkaqe të sigurisë, dhe sidomos lufta në Ukrainë, ka bërë një çrregullim të tregjeve globale në përgjithësi, andaj kemi të bëjmë me një rritje enorme të të gjitha produkteve bazë që variojnë nga 40 deri ne 100% të ngritjes së çmimeve”.

“Mu për këtë kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që në bazë të Ligjit për Marrëdhënie Detyrimore, në bazë të Nenit 651, ku parasheh ngritjen e çmimeve te materialit ndërtimor me tepër se 2 për qind, atëherë investitori obligohet që të pranojë këtë ndryshim për të gjithë punëkryesit. Përndryshe te gjitha kompanitë tenderuese do te falimentojnë”.

“Nëse kjo kërkesë injorohet nga Qeveria do të ketë ndërprerje te punëve te mëtutjeshme”, paralajmëroi Selimaj.

“Bazuar në nenet 651 dhe 652, të Ligjit për marrëdhëniet e detyrimeve, ne si kompani punëkryese në ndërtimin e Brezit të Gjelbër besojmë se kemi të drejtën e rishikimit të çmimeve të pozicioneve të punëve të pakryera”.

“Inflacioni muajve të fundit në rritje drastike të çmimeve të të gjitha materialeve dhe fuqisë punëtore na pamundëson realizimin e pozicioneve të punëve të mbetura”, ka shtuar Selimaj.

“Nëse do të realizoheshin punimet me çmime të pandryshuara, Kompania do të duhet të investojë shuma të mëdha nga buxheti i saj për të përfunduar punimet, sepse kostoja aktuale e materialeve dhe fuqisë punëtore tejkalon çmimet e dhëna në ofertë dhe rrjedhimisht do të punohej me humbje”, ka theksuar mes tjerash Brahim Selimaj, kryetar i Sektorit të ndërtuesve dhe prodhuesve të materialit ndërtimor, që funksionon në kuadër të AKB-së.