Selimi e Krasniqi kanë pyetje për Clarkun
Wesley Clark, ish-gjenerali amerikan që udhëhoqi fushatën e bombardimeve të NATO-s mbi caqet ish jugosllave, pritet që më së largu më 19 nëntor, siç ka paralajmëruar mbrojtja e Hashim Thaçit, të paraqitet në Gjykatën Speciale si dëshmitari i fundit i thirrur nga ish-presidenti i Kosovës.
Përveç mbrojtjes së Thaçit, Clarku do të pranojë pyetje edhe nga ekipet e avokatëve të Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. I pari do të ketë kohë për rreth 30 minuta, ndërkaq avokatët e Krasniqit kanë kërkuar rreth 45 minuta për pyetje shtesë për Clarkun.
Veç kësaj, ekipet nuk kanë kundërshtuar dokumentet përcjellëse që do të përdoren gjatë dëshmisë së ish-gjeneralit, edhe pse Rexhep Selimi e ka njoftuar trupin gjykues se e rezervon të drejtën për kundërshtime gjatë dëshmisë, nëse preket diku emri i Selimit.
Paraprakisht, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi kanë kundërshtuar pranimin e disa provave që janë dorëzuar nga prokuroria… gjatë dëgjimit të dëshmitarëve të Thaçit, e të cilat prekin direkt edhe dy të bashkakuzuarit e të cilët ngrenë shqetësimin se gjykata e ka lënë prokurorinë ta rihapë çështjen e saj. Fjala është për armatimin e UÇK-së dhe sulmet e para ndaj stacioneve policore serbe më 1997 që është përmendur gjatë dëshmisë së Jock Covey-t. “Mbrojtja nuk ka qenë në dijeni të këtyre pretendimeve të cilat janë bërë publike në një fazë tejet të vonshme të gjykimit, në një pikë kur mbrojtja veçse e kishte marrë vendimin për të mos thirrur dëshmitarë” , thuhet ndër të tjera në ankesën e mbrojtjes.

