13:45 / E Premte, 10 Korrik 2020 / indeksADMonline

Selimi ekspertëve të dorëhequr: Kthehuni në grupin punues!

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka mbajtur një konferencë shtypi në lidhje me çështjen e vettingut.

Para gazetarëve, Selimi, ka kërkuar që të rikthehen ekspertët e dorëhequr nga ekipi përgatitor për procesin e vettingut në drejtësi.


Ai tha se ky grup ekspertësh duhet të kthehet që të bëhet ky proces më i besueshëm.

“Pas që i kemi dërguar propozimet për përfaqësuesit e institucioneve, grupi i eksperteve ka dhënë dorëheqjen. Për të qenë korrektë, ne ende do ta mbajmë hapur pikën ku grupi është ende i hapur për vazhdimin e procesit. Të kthehen që ta bëjnë këtë proces sa më të besueshëm”, tha Selimi.

“Kemi arritur në përfundim që të gjithë janë për që ky proces të jetë gjithëpërfshirës dhe së bashku ta gjejmë modulin që ta risim sistemin e llogaridhënies”, u shpreh ai.

Mes tjerash, Selimi tha se vend do të ketë edhe për grupin e ekspertëve nga shoqëria civile.

“Në takimin që kemi pasur me grupin e ekspertëve, jemi dakorduar që ta dërgojmë vizionin për përfaqësim. Ky grup ka dhënë dorëheqjen dhe ka cekur arsyet. Në vendimin që sot pritet ta dërgojmë në Qeveri, ne ende do ta mbajmë pikën ku grupi i ekspertëve mund të bëhen pjesë e këtij procesi dhe ta bëjmë të implementueshëm”, tha Selimi.