Selimi në 21 vjetorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, ka një falënderim për ta

Në 21 vjetorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, tha se ky është një moment i duhur, për të shprehur vlerësimin për këtë institucion, si njeri nga hallkat kyçe dhe shumë të ndjeshme të sistemit tonë të drejtësisë.
Ai ka përgëzuar këtë institucion në veçanti për menaxhim të pandemisë brenda saj.
Postimi i plotë i tij:
Shënimi i 21-vjetorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, është moment i volitshëm për të shprehur vlerësimin për këtë institucion, si një nga hallkat kyçe dhe shumë të ndjeshme të sistemit tonë të drejtësisë, progresi në të cilin është me rëndësi të veçantë për shtetin tone të ri. SHKK-ja gëzon reputacion të mirë falë punës dhe angazhimit të stafit të saj, nën udhëheqjen e drejtorit Thaçi, por edhe të gjithë drejtorëve dhe udhëheqësve të institucioneve korrektuese, pa përkushtimin e të cilëve këto rezultate nuk do të arriheshin. Shpreh falënderimin tim për ndihmën dhe kontributin e vazhdueshëm të miqve tanë ndërkombëtarë, në ngritjen e infrastrukturës dhe standardeve të larta profesionale në Shërbimin Korrektues të Kosovës përgjatë këtyre viteve.
“Mirënjohje në veçanti, dua të shpreh për menaxhimin e shkëlqyer dhe përballjen me pandeminë në Shërbimin Korrektues, ku janë instaluar vizitat online dhe janë hapur deri në pakufi telefonatat e të burgosurve me familjarët, me ç’rast ka qenë evident, duke mënjanuar rastet me fatalitet tek të burgosurit dhe përhapjen e pandemisë brenda burgjeve”, ka shkruar Selimi.