75 Mall Live Search
23:37 / E Martë, 09 Prill 2019 / indeksADMonline

Selimi: Qytetarët ma shumë po ikin prej varfërisë, se që kanë ik prej Serbisë

Indeksonline publikoi dje raportimin mbi ikjen e shumë qytetarëve të Kosovës në drejtim të shteteve perëndimore.

Në pamjet që portali solli të realizuara para ambasadave të shteteve të huaja në Kosovë, shiheshin qytetarë të shumtë duke pritur të pajisen me viza, në mënyrë që sa më parë të dalin jashtë vendit.

Ky raportim ngjalli reagime të shumta në publik. Për këtë rast ka folur edhe deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi i cili ka thënë se është për keqardhje se si qytetarët e Kosovës më shumë po ikin nga vendi nga varfëria se nga Serbia.

Selimi ka thënë se ata që po ikin nga varfëria, shpreson se ndonjëherë do të kthehen në Kosovë për ta luftuar varfërinë.

“Shumë më shumë kanë ik njerëzit nga Kosova nga varfëria, se nga Serbia. Atëherë në luftë u patën kthy  me luftu kundër Serbisë, andaj shpresoj se do të kthehen dikur për ta luftuar varfërinë. Kemi ardhur në atë situatë, kur më pak se një dekadë të rinjtë kanë lyp punë nëpër ndërmarrje ndërtimore e të tjera, e tash ndërmarrjet s’po gjejnë punëtorë. Kjo e dëmton ekonominë e Kosovës rëndë. Kosova ka buxhet për me i mbajt 2 milionë qytetarët, por ky buxhet po keqpërdoret”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, nuk është logjike që krejt buxheti të investohet në asfalt se njerëzit nuk po ikin pse nuk kanë asfalt, po pse s’po kanë punë.

“Njerëzit s’po ikin pse s’kanë autostrada e asfalt, po pse s’po kanë punë. Andaj buxheti është dashur të përdorej për të krijuar vende të reja të punës. Ne jemi në gjendje të rëndë, të jashtëzakonshme. Ne po mbesim edhe pa njerëz në Kosovë, edhe pa pare të perëndimit”, ka thënë Selimi në T7.