75 Mall Live Search
16:22 / E Enjte, 16 Prill 2020 / indeksADMonline

Selimi thotë se LDK po mundohet të bllokoj çdo punë, duke u bërë me Thaçin, e duke tentuar të krijoj Qeveri me humbës

Rexhep Selimi, shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, ka folur pas mbajtjes së mbledhjes së kryesisë së Kuvendit në të cilën u diskutuan tri projektligje, e të cilat kishin të bënin me parandalimin dhe menaxhimin e situatës me pandeminë Covid-19, raporton IndeksOnline.

Ai ka theksuar se LDK nuk lejoj që t’i jepet epilog këtyre tri nismave që kanë ardhur nga drejtime të ndryshme.

“Ajo çfarë u pa gjatë zhvillimit të mbledhjes që LDK respektivisht nënkryetari që vjen nga LDK, dhe po ashtu kryetari i grupit parlamentar lëshuan mbledhjen duke krijuar atmosfere jo bashkëpunuese, pavarësisht vullnetit tonë që të ishim më të përgjegjshme”, tha Selimi para gazetarëve.

Selimi theksoi se derisa partia e tij dhe qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti, kanë vullnetin për të punuar në luftimin e kësaj pandemie, një gjë e tillë nuk po ndodh edhe me ish partnerin e tyre, LDK-në.

Sipas tij LDK-ja, më shumë është e fokusuar në luftën kundër Qeverisë, se sa në luftën kundër coronvirusit.

“Ne jemi të shqetësuar me gjendjen në të cilën jemi por duket se LDK nuk është e shqetësuar për qytetarët, as për luftën kundër koronavirusit, por në luftën kundër qeverisë, që qeverisë jo vetëm të ja pamundësoj qeverisje por edhe të ja pamundësoj ndihmën që ajo po ja ofron qytetarë të Kosovës. Po duket sheshas që LDK para se ta ketë mendjen te fati i qytetarëve të Kosovës, e ka mendjen me bashkëpunua me Thaçin, LDK pra po duket që është më shumë e përqendrua që ta luftoj, qeverinë e jo pandeminë”, nënvizoj Selimi.

Shefi i deputetëve të VV-së, tha se  qeveria në detyrë duhet të ndihmohet, e nëse as kjo s’mund të bëhet, të paktën të mos pengohet për të kryer detyrën e saj në shërbim të mbrojtjes së jetës së qytetarëve.

Selimi tutje tha se në Kushtetutë është e përcaktuar qartë se kush mundet ta formoj qeverinë.

“Në kushtetutë thuhet qartë se kush mundet ta formoj qeverinë, këta po mundohet ta bëjnë një qeveri të humbsave të zgjedhjeve”, tha Selimi.