Selmani e quan “tuc” Kurtin

Nuredin Selmani nuk është tërhequr nga deklarimet që i ka bërë për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Pas përfundimit të seancës së shqyrtimit fillestar, në të cilën Selmani u deklarua i pafajshëm, ai tha përpara medieve se Kurti duhet të dalë përpara Prokurorisë, shkruan IndeksOnline.
“A frikësohet nga historia, që një ditë ka m’e dënu historia e popullit shqiptar. Unë konsideroj se jam i pafajshëm. Edhe një herë po e theksoj që prokuroria dhe gjykata duhet të respektohen në maksimum. Prandaj tucit i them edhe një herë që kur të thërret prokuroria të lajmërohet.
Ky tuc duhet të lajmërohet çdo herë në Prokurori, t’i përgjigjet sepse duhet m’e dhanë përgjegjësi për parët e shtetit, paret e këtij populli, se kah po shkojnë” deklaroi Selmani.
Prokurori i rastit sot në seancë e lexoi aktakuzën, ku u shpalos se të dytë, Klinaku dhe Selmani, e kanë kanosur me jetë të dëmtuarin Kurti, nëpërmjet profileve të tyre personale në rrjetin social Facebook.
Në mes të tjerash, u lexuan fjalë për fjalë postimet e Klinakut, që deklaroi se më përpara e vret Albin Kurtin sesa që i lëshon rrugën.
Si Klinaku, ashtu edhe Selmani mohuan akuzat, duke u deklaruar si të pafajshëm.