75 Mall Live Search
09:42 / E Hënë, 14 Korrik 2025 / S Z

Sëmundja me karakter kolektiv e shoqërisë sonë

Nga Dr. Ylli H. Mehmeti

Ka shumë gjëra që ia faturojmë politikës, qeverisë apo liderëve të rradhës. Është bërë e zakonshme të thuhet se gjithçka është faj i sistemit. Por në këtë vorbull pakush guxon të ndalet dhe të shikojë me thellë – jo nëpër ministri, por në pasqyrë.


Sepse problemi ynë, sado të mundohemi ta fshehim pas flamujve, partive dhe krizave të përkohshme, nuk nis dhe nuk mbaron me qeverisjen. Ai ka rrënjë shumë më të thella I ka në karakterin individual dhe në strukturën psikologjike të shoqërisë sonë.


Ne jemi një popull që, në vend se të ngazëllehemi për suksesin e tjetrit, shumë shpesh mërzitemi. Kemi ndërtuar një klimë kulturore ku përparimi i dikujt tjetër përjetohet si humbje personale.


Talenti, përkushtimi apo dijet e tjetrit nuk na frymëzojnë – na irritojnë.
Që të mos ngatërrohemi: kjo nuk është vetëm mungesë e mbështetjes. Është strukturë karakteriale. Është ai “inat” i heshtur që kultivohet që në fëmijëri, kur një fëmijë “qortohet” apo “ndeshkohët” pse është më i zoti se të tjerët, ose kur për një arritje apo sukses thuhet “E ka pasë me ndihmë” apo “Diçka ka pasë pas shpinës”.


Kjo psikologji ka prodhuar një mosbesim të rrënjosur ndaj çdo vlere reale – arritje, profesionalizëm apo meritë. Në vend të bashkëpunimit, kultivohet sabotimi. Në vend të konkurrencës së ndershme, intrigat. Dhe si pasojë, në vend të zhvillimit – bllokimi kolektiv.


Mjafton të shohim një ilustrim të freskët: bllokimin në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e kryetarit të ri të parlamentit. Në një shoqëri me ndjeshmëri institucionale dhe kulturë politike funksionale, kjo do të ishte një çështje procedurale, e zgjidhur me dinjitet dhe efikasitet.


Por jo në rrethanat tona. Pse? Sepse edhe në politikë, si pasqyrë e shoqërisë, vendos inati, jo arsyeja; rivaliteti personal, jo interesi publik. Zgjedhjet nuk bëhen sipas platformave ligjore apo kapaciteteve institucionale, por sipas llogarive se kujt “mos me ja lanë me fitu”, “mos me u dukë ai më i zoti”.


Këtu është rrënja e problemit tonë: në mosdurimin ndaj të mirës, në frikën nga aftësia, në sabotimin e çdo procesi që nuk e kontrollojmë personalisht. Për sa kohë të mos kemi guximin ta shikojmë këtë të vërtetë në sy, do të vazhdojmë të merremi me pasojat, por jo me shkakun. Do të flasim për qeveri, por jo për vetëqeverisjen e karakterit tonë.


Do të kritikojmë politikën, por jo kulturën që e prodhon atë.
Sepse po, një shoqëri nuk ndërtohet me njerëz të cilët gëzohen kur tjetri dështon dhe frikësohen kur ai arrin. Nuk ecet përpara me paranojë kolektive dhe xhelozi të trashëguar.


Zhvillimi kërkon respekt për dijen, vullnet për bashkëpunim dhe guxim për ta përmirësuar veten më shumë sesa për ta rrënuar tjetrin.
Koha është që në vend të luftës për dominim, të fillojmë betejën për shërim të brendshëm – të karakterit, të psikologjisë kolektive dhe të mënyrës si e shohim njëri-tjetrin.


Vetëm atëherë, ndoshta, do të mund të zgjedhim jo vetëm një kryetar kuvendi, por edhe një rrugë më të ndritur për veten dhe fëmijët tanë.