Senati merr disa vendime në mbledhje, transferon në UP profesorin e Oxfordit

Në mbledhjen e 20-të të Senatit të Universitetit të Prishtinës, të zhvilluar më 30 shtator 2025, u morën shumë vendime që do të ndikojnë në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së punës, studimeve dhe kërkimit shkencor të Universitetit të Prishtinës.
Senati vendosi që ta transferojë në UP, profesorin me përmasa ndërkombëtare, Gëzim Visoka, që aktualisht punon në Universitetin e Qytetit të Dublinit dhe Universitetin e Oksfordit.
Transferimi i profesorit të njohur u bë në bazë të Rregullores për transferim, programin “Brain Gain” dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik, të miratuar po nga Senati, më 30 prill 2025.
Senatorët me shumicë votash vendosën ta përjashtojnë nga lista e lejuar e publikimeve për avancimin e personelit akademik të UP-së, revistën “International Journal of Biomedicine” dhe miratuan komisionin për hartimin e Rregullores për parandalimin e plagjiaturës dhe niveleve të palejuara të ngjashmërisë. Gjithashtu kaloi njëzëri në senat edhe komisioni për hartimin e testeve pranuese në UP.
U aprovuan edhe avancime të profesorëve dhe lista e kandidatëve për studime të doktoratës në disa njësi akademike.
Senati mori vendim të ketë afat shtesë për pranimin e studentëve nga vendet fqinje dhe për vendet e paplotësuara në disa njësi akademike. Në mbledhje u miratuan pesë tema doktorate dhe u ratifikuan dy prej tyre.
Senati zgjodhi profesorin Shemsi Krasniqi anëtar të Këshillit të Etikës dhe uli për 10 për qind kushtin e kredive për regjistrim të studentëve të vitit të parë në vitin e dytë të studimeve.