Serbët e veriut nuk duan ta festojnë Pavarësinë e Kosovës

Derisa gjithandej vendit po shënohet 14 vjetori i pavarësisë, për serbët e veriut sot ka qenë një ditë e zakonshme.
Ata kanë rrëfyer se jo vetëm që nuk festojnë pavarësinë, por që nuk e pranojnë fare shtetin e Kosovës, duke thënë se ajo është pjesë e Serbisë.
Qytetarët sapo kuptonin temën për të cilën bëhet fjalë, përveç që nuk flisnin, fyenin, ofendonin, madje disa edhe kërcënonin, ndërsa, ata që pranuan të flasin nuk dëshironin të prezantoheshin fare.
Një qytetare nga veriu i Mitrovicës, pasi u çudit me pyetjen e parashtruar, tha se Kosova është pjesë e Serbisë dhe ajo ka festuar dy ditë më parë pavarësinë.
“Ruana Zot, cila pavarësi e Kosovës ju lutem. A jeni të vetëdijshëm çfarë po pyetni. Ne kemi festuar, çfarë pavarësie e Kosovës. Kosova është pjesë e Serbisë”, ka thënë ajo.
Një qytetar tjetër, theksoi se njerëzit këtu nuk e pranojnë shtetin e Kosovës. Sipas tij, ata kanë festuar dje dhe pardje pavarësinë e Serbisë.
“Të jem i sinqertë unë personalisht nuk e festoj. Siç e shihni këtu janë të varura flamujt e Serbisë, dje dhe pardje ka qenë dita e shtetësisë së Serbisë, kështu që njerëzit këtu në veri të Kosovës festojnë ditën e shtetësisë së Serbisë. Ditën e pavarësisë së Kosovës nuk e festojnë sepse siç e dini nuk e pranojnë shtetin e Kosovës”, sqaroi ai.
Një tjetër qytetare po ashtu nga veriu, për dallim nga të tjerët, bëri të ditur për KosovaPress, se nuk ka festuar pavarësinë e Serbisë dhe as të Kosovës.
“Jo, nuk kemi festuar as dje dhe as sot. Jetojmë jetën tonë siç jemi mësuar, i marrim pensionet asgjë më shumë”, tha ajo.
Ndryshe, numër i madh i qytetarëve serbë nga veriu i vendit, vazhdojnë të jenë të punësuar në institucionet kosovare dhe paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës, ndërsa edhe pas 14 vitesh të pavarësisë, mohojnë shtetin në të cilin jetojnë.