75 Mall Live Search
09:42 / E Hënë, 16 Shkurt 2026 / Z S

Serbët përballë drejtësisë/ Nis gjykimi për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc

Seanca e shqyrtimit fillestar ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc ka nisur sot, pasi ishte ndërprerë në fund të vitit të kaluar.

Në bankën e të akuzuarve janë Jovan Viçentijeviq, i cili akuzohet për spiunazh, si edhe vëllai i tij Dragisha Viçentijeviq, të cilët përballen edhe me akuza për rrezikim të rendit kushtetues dhe mbajtje armësh pa leje. I treti, Igor Dimoviq, akuzohet për përfshirje në sulmin terrorist të ndodhur më 29 nëntor 2024 në fshatin Varagë të Zubin-Potokut.

Aktakuza ishte ngritur më 9 dhjetor 2025 dhe bazohet edhe në ekspertizën e Byrosë Federale Amerikane të Hetimit (FBI), e cila ka ofruar prova që i lidhin të akuzuarit me sulmin terrorist.

Ky konsiderohet sulmi i dytë terrorist në Kosovë, pas atij në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023. Për rastin e Banjskës, tre persona janë duke u gjykuar, ndërsa disa të tjerë, përfshirë kreun e grupit Milan Radojçiq, vazhdojnë të jenë në arrati./IndeksOnline/