18:24 / E Martë, 27 Shtator 2022 / k.v

Provokimi i radhës/ Serbët përurojnë sheshin me flamur gjigant afër urës së Ibrit (Foto)

Serbët e veriut sërish kanë provokuar duke përuruar sheshin sot krejt afër urës kryesore të lumit Ibër në Mitrovicë.

Në këtë shesh përveç përmendores së ndërtuar, serbët kanë vendosur edhe flamurin e Serbisë me dimensione gjigante i cili tash e tutje do të qëndrojë në këtë vend, e që qytetarët shqiptarë nga jugu po e shohin si provokim.

Aleksandar Spiric, kryetari i komunës paralele në veri të Mitrovicës, ka porositur se deri sa të ekzistojë edhe vetëm një serb në Mitrovicë, heronjtë e tyre do të kujtohen.

“Nga ky shesh porosis se derisa edhe vetëm një serb ndodhet në Mitrovicë, do të jetojnë heronjtë tanë”, theksoi Spiric.

Ndryshe, në këtë ceremoni përveç qytetarëve, morën pjesë edhe përfaqësues të shtetit të Serbisë, deputetë serbë të Kuvendit të Kosovës, ministri Goran Rakic, kryetarë të komunave veriore, si dhe përfaqësues të institucioneve paralele në veri.