Serbia marrëveshje për import gazi me Rusinë në tetor

Serbia do të nënshkruajë muajin e ardhshëm një marrëveshje trevjeçare për importin e gazit me Rusinë, duke siguruar një furnizim vjetor prej 2.5 miliardë metrash kub gaz natyror, tha për Radiotelevizionin e Serbisë kreu i kompanisë shtetërore serbe të gazit, Dushan Bajatoviq, të martën.
Shefi i Srbijagas, Bajatoviq, bëri të ditur se Serbia ka siguruar tashmë furnizime ditore prej 2.5 milionë metrash kub gazi nga Azerbajxhani, dhe se merr, gjithashtu, 9.5 milionë metra kub në ditë nga Rusia, raporton Reuters.
Ai, po ashtu, shtoi se e vetmja rezervë e gazit e Serbisë përmban 780 milionë metra kub gaz natyror, me një mundësi për 200 milionë metra kub shtesë, që mund të sigurohen nga një depo në Hungari nëse është e nevojshme.
Serbia mbetet një nga blerësit e paktë të gazit natyror rus në Evropë, edhe pse kërkon anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Qeveria është përballur me presion nga vendet perëndimore për t’u përafruar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, por deri tani nuk ka ndërmarrë veprime.
Industria e Naftës e Serbisë (NIS), shumica e aksioneve të së cilës janë në pronësi të Gazprom Neft-it dhe Gazprom-it të Rusisë, po kërkon një përjashtim të shtatë për të shtyrë sanksionet amerikane që do ta vinin në rrezik furnizimin e shtetit serb me naftë të papërpunuar./ REL