12:59 / E Martë, 19 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Serbia me ide të re për dialogun, ka të bëjë me demarkim!

Propozimi i Beogradit në bisedimet me Prishtinën është një ide e demarkacionit, tha ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq.

Daçiq, i pyetur nga mediat nëse pozicioni zyrtar i Beogradit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës janë bisedimet për demarkacionin, tha se “për ta zgjidhur këtë problem në një mënyrë të tillë, kjo është oferta jonë zyrtare”.

Ai gjithashtu vuri në dukje se një linjë e mundshme e ndarjes ende nuk është shkruar apo konfirmuar.

Daciq tha se presidenti Aleksandar Vuçiq në parim ka dhënë idenë e delimitimit, dhe se ky është parimi dhe e vetmja mënyrë realiste për kompromis, por kjo ide nuk është përpunuar në dialog.

“Kur ai filloi të fliste për këtë, rreth delimitimit, ne të gjithë donim diçka të tillë, të gjithë kërkuan dhe e sulmuan atë. Deri më tani, kishte vetëm dy opsione: Kosova krahinë, ose e pavarur,” tha Daciq. I pyetur se çfarë ishte delimitimi  i propozuar nga Vuçiq, Daçiq tha se kjo ishte vetëm një ide për të ardhur në agjendë dhe të materializohej.

“Mund të ketë ide të tjera për të cilat mund të arrihet kompromisi”, shtoi Daçiq. I pyetur se ku do të ishte ky vend, ai tha – “ku do të jemi dakord dhe ku do të jetë e pranueshme për njërën dhe tjetrën palë”.