75 Mall Live Search
13:24 / E Shtunë, 27 Dhjetor 2025 / F.R

Serbia pengon gërmimet në Kozhle, në Kosovë nga 32 lokacione, në 16 prej tyre gjenden mbetjet mortore

Vetëm, gjatë këtij viti në Kosovë janë përfunduar 32 lokacione ku dyshohej për persona të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku në 16 prej tyre janë gjetur mbetje mortore, në 15 raste nuk është gjetur asgjë, ndërsa në njërin rast është vlerësuar se nuk ka qenë në interes.

Kështu u bë e ditur nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ku prezantuan Raportin Vjetor të Punës.

Mirëpo sfidë edhe këtë vit për të zbardhur fatin e personave të zhdukur, ka vazhduar të mbetet mosbashkëpunimi i Serbisë për të dhënë informacionet kredibile dhe mos pranimi i saj për të hapur arkivat për varrezat masive që ka kryer në Kosovë.

Përves kësaj, Kryetari i këtij komisioni, Andin Hoti tha se nga marrëveshjet që kanë arritur të bëhen, pishman është bërë Serbia, duke kërkuar që të ndërrohet një nga termet e referencës.

“Vazhdojmë të kemi sfidat tona përball zbardhjes së fatit të personave të zhdukur dhe sfida kryesore mbetet mosbashkëpunimi, apo mosgatishmëria e Serbisë për dhënien e informacione kredibile, për dhënien e arkivave që ne vazhdimësi vazhdojmë me i kërku, qoftë në Bruksel, apo në takim bilaterale apo multaterale dhe përveç kësaj që ne kemi arritur dy marrëveshje në Bruksel. E para deklarata e personave të zhdukur në 2023 dhe formimi i komisionit të përbashkët në fund të vitit 2024 dhe e dakorduar nga të dyja shtete, nga Kosova dhe Serbia. Serbia ka refuzuar pjesëmarrjen për tri herë radhazi që BE e ka thirr në Bruksel. E para në janar, e dyta në qershor dhe e treta është në shtator të këtij viti. Tashmë Serbisë i ka ra në mend, pasi janë dakorduar për terma e referencës 2024, po thonë se ne nuk mund të pajtohemi me këto terme, i kemi ra pishman dhe duhet të riformulohen termet. Problemet kryesore që ata nuk janë pajtuar, e para është që në termat e referencës shkruan se “udhëheqësi i këtij procesi obligohet të njoftoj 27 shtetet anëtare për mospunë, mosdakrodimin apo mos dhënien e informacioneve të njërës palë”, dhe në këtë rast Serbia po tenton të largojë këtë pikë nga termat e referencës duke tentuar t’i ikë përgjegjësisë. Dhe ne nuk jemi pajtuar dhe nuk do t pajtohemi por do të vazhdojmë të bëjmë presion që Serbia të pranojë hapjen e arkivave të klasifikuara kryesisht në të cilat ne pretendojmë që përmbajnë të dhëna për fatin e mbi 1mijë e 571 persona që ne vazhdojmë t’i kemi të zhdukur sot”, tha Hoti.

Sfidë tjetër ishte edhe gërmimi në Kozhle në të cilin vend lejimi i gërmimeve u lejua pas shumë presioneve dhe këmbëngulje të Kosovës. Hoti thotë se tani Serbia ka ndërpre punimet, mbi arsyen se nuk ka kapacitete teknike, por njëkohësisht nuk lejon që Kosova ta ofrojë këtë zgjidhje.

“Në Serbi pas një presioni të vazhdueshëm, kemi arrit më në fund me shku në një lokacion atje në Kozhle, por i njëjti na krijoi sfida të reja e cila është ndërpre dy-tre herë nga pala serbe mbi arsyetime se nuk kanë kapacitet teknike e nuk kanë mundësi. E për këtë vit përfundimisht e kanë ndërpre dhe nuk kanë caktuar datë se kur do të vazhdojnë punimet”, tregoi Hoti.

Hoti e shpjegoi se në këtë lokacion ku dyshohet për varrezë masive, he spira është e mbushur me deponi të mbeturinave që janë hedhur qysh nga viti 1999.

“E kam thënë se ky lokacion, fatkeqësisht përmban mbi 15 metra deponi mbeturina që janë hedhur në 1999, pas varrezës potenciale masive që është aty deri më sot dhe për me i heq të gjitha këto mbeturina kërkon punë dhe vullnet të cilën nuk po e gjejmë te pala serbe. Neve nuk po na lejohet me dërgu pjesën teknike”, tregoi ai.

Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore teksa tregoi për gërmimet në territorin e Kosovës, bëri të ditur edhe atë se përveç Kozhles në territorin e Serbisë, janë vizituar edhe dy lokacione të tjera, që bëhet fjalë për atë në Banja të Novi Pazarit dhe Shtaval.

“Janë gjithsej 32 lokacione në territorin e Republikës së Kosovës në të cilat janë ekzekutar urdhëresat që janë lëshuar nga departamenti special i Gjykatës Themelore të Prishtinës në kuptim të kërkimit, gërmimit dhe zhvarrimit të personave të zhdukur. Prej tyre 16 kanë rezultuar pozitive, që do të thotë kanë rezultuar me gjetje, me mbetjet mortore të cilat pastaj janë dërguar në IML për ekzaminime të mëtutjeshëm mjeko ligjore. 15 prej këtyre lokacioneve kanë rezultuar negative, pra, nuk kemi pasë gjetje. Dhe në një rast kemi pasë gjetje, por janë vlerësuar që nuk janë në interes mjekoligjore. Vjen të shtohet se si përgatitje për këto lokacione kemi pasë edhe 9 ditë shtesë, apo pune që bashkë me kolegët kemi vizituar lokacionet për t’i zbatuar këto urdhëresa. Në territorin e Serbisë përveç Kozhles kemi vizituar edhe dy lokacione tjera, njëra është Banja e Novi Pazarit dhe një tjetër në Shtaval, ku kemi punuar dhe më herët aty. Sivjet jemi kthyer me një vizitë vlerësuese të shohim se mos ka bazë të vlerësohet më tutje, pasi kemi marrë një informata shtesë, raport shtesë nga Komisioni ndërkombëtar nga personat e zhdukur dhe do të shohim si do të rrjedhin zhvillimet lidhur me këtë lokacion”, tregoi Haliti.

Vizitë vlerësuese është bërë edhe në territorin e Maqedonisë së Veriut, e ku Kosova është në pritje të informatave shtesë.

Brenda këtij viti, Haliti tregon që në IML kanë arritur t’i kompletojnë dosjet e mbetjeve mortore të 27 individëve, e që iu janë dorëzuar familjeve.Prej tyre 16 prej rasteve, kanë rezultuar të jenë në listën e personave të zhdukur.

“Sa i përket punëve që janë bërë nga IML gjatë ekzaminimeve tona, kemi arritur që t’i kompletojmë dosjet dhe të përgatisim mbetjet mortore të 27 individëve për t’i dorëzuar te familjet. Pra, gjatë këtij viti janë dorëzuar mbetjet mortore të 27 individëve, të cilët 16 janë në listën e personave të zhdukur. Në anën tjetër janë dërguar mostra kockore të cilët janë dërguar në Komisionin Ndërkombëtar për persona të zhdukur dhe 68 mostra kockore për analiza të ADN-së i kemi dërguar gjatë këtij viti, ndërsa në anën tjetër kemi pranuar 63 rezultate të ADN-së, përkatësisht 53, sepse 10 janë vetëm rezultate krahasimore. Prej këtyre 53 rezultateve, 10 janë nga lista e personave të zhdukur”, shpjegoi ai.

Po ashtu u bë e ditur se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka pranuar rreth 150 gigabajt material të ish-Tribunalit të Hagës.

Këtë e ka bërë të ditur Kushtrim Gara nga ky komision, e ku prezantuan gjitha lokacionet ku kanë gërmuar.

“Në kuadër të një marrëveshje bashkëpunimi me komiteti ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, janë pranuar diku rreth 150 gigabajt materiale që vijën nga ish-Tribunali i Hagës, pra tribunali penal për krimet në ish-Jugosllavi dhe në shumicën e lokacioneve, duke filluar nga lokacioni i fundit që kemi përmbyll vitin, pra lokacioni në Rahovec por edhe në Hajvali e tjera të ngjashme që ne jemi rikthyer këtë vit pikërisht si një rezultat i analizave paraprake në kuptim të shqyrtimit të hollësishëm të të gjitha informatave”, tregoi Gara.

Gara tregoi se rikthimi në lokacionet në të cilat kishin kryer gërmime ekipet gjermane mjeko logjor, më pas ato të UNIMIK-ut e edhe të EULEX, janë bërë për shkak të analizave të raporteve e ku rezulton se në këto lokacione mund të ketë ende mbetje mortore.

“Në Rahovec, e kemi bërë dhe publike, e ku përkundër gërmimeve që janë realizuara në vitet e para të pasluftës, përkatësisht gjatë verës së të vitit 1999 nga ekipet gjermane mjeko ligjore, në bazë të shqyrtimi të të dhënave ne kemi konkloduar që në këtë lokacion mund të jenë ende mbetjet mortore edhe të tetë viktimave të luftës ose të pesë prej tyre të cilët vazhdojnë të jenë në listën e personave të zhdukur. Pra gërmimet që kanë kryer ekipet gjermane, pastaj gërmimet që kanë kryer ekipet e UNMIK e pasuar edhe nga ekipet e EULEX, përkundër faktit që ka pasë diku deri në 36 kufoma të zhvarrosura, në bazë të analizave ne jemi rikthyer në lokacion, në Hajvali jemi kthyer edhe për kërkimin e mbetjeve mortore të 6 apo 7 personave”, u shpreh ai gjatë konferencës ku prezantuan raportin vjetor.