Serbia pret të hap kapituj negociues për integrim evropian
Serbia mund të hapë vetëm një kapitull negociues deri në fund të qershorit si dhe përfundimit të kryesimit të Rumanisë në Bashkimin Evropian.
Sipas gazetës serbe Novosti, ky do ishte kapitulli i 9-të, e që lidhet me shërbimet financiare, por që as për këtë kapitull nuk është arritur marrëveshje e plotë mes shteteve anëtare.
Madje raportohet se ekziston mundësia që Beogradi në javët e ardhshme të mos arrijë të hapë asnjë kapitull për të negociuar dhe se në qershor të mos zhvillohet fare as konferenca ndërqeveritare e Serbisë në Bashkimin Evropian, transmeton Indeksonline.
Sipas burimeve diplomatike të së njëjtit medium thuhet se ky ‘dush’ i ftohtë për integrimin evropian të Serbisë tashmë një kohë të gjatë ishte paralajmëruar nga Brukseli dhe ndodh për faj të problemeve të brendshme të BE-së, por edhe mundësisë që të shtohet presioni ndaj Serbisë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Ritmi i ngadalshëm i integrimit evropian të Serbisë diktohet nga shtete të caktuara si Kroacia, por edhe shtetet e tjera të cilave u pengojnë raportet e ngushta të Beogradit dhe Moskës./Indeksonline/