75 Mall Live Search
19:49 / E Enjte, 07 Mars 2019 / indeksADMonline

Serbia reagon pas vendimit të Kuvendit të Kosovës!

Serbia ka reaguar ndaj miratimit të platformës për dialogun nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën Marko Gjuriq tha se përmes miratimit të këtij dokumenti, Prishtina dërgoi një mesazh se ky është fundi i dialogut.

“Duke adoptuar një platformë që thotë se rezultati i vetëm i mundshëm i dialogut është njohja, pa trajtuar të drejtat dhe pozitën e serbëve, tregon se Prishtina në këtë mënyrë ka dërguar një mesazh se ky është fundi i dialogut”, tha Gjuriq në një konferencë për media sonte në Beograd.

Sipas tij, vendimi i autoriteteve të Prishtinës e ka vënë Serbinë në pozitën më të keqe që nga viti 2011, transmeton KosovaPress. Ai theksoi se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq për nesër ka ftuar takimin urgjent të Këshillit për siguri nacionale.

“Ne nuk do të ngutemi, por Serbia do të jetë në gjendje të mbrojë interesat kombëtare dhe shtetërore sa i përket çështjes së Kosovës, pozitës dhe të drejtave të serbëve në Kosovë dhe në të gjithë Serbinë”, tha ai, duke shtuar se për vendimet e mëtejshme mediat do të njoftohen nesër.