75 Mall Live Search
10:52 / E Mërkurë, 13 Mars 2019 / indeksADMonline

Serbia shkarkoi anëtarin e bordit të RYCO, për shkak se konfirmoi ardhjen në Kosovë

Ishte paraparë që sot të mbahet takimi i bordit drejtues të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor RYCO, por takimi ka dështuar pasi mbrëmë anëtari i bordit nga shteti i Serbisë Milica Skiljevic, është shkarkuar vetëm pse ka konfirmuar pjesëmarrjen.

Kështu sot nuk ka pasur mundësi të ketë vendimmarrje për shkak të mungesës së kuorumit.

Ministri i Kulturës, Kujtim Shala, ka thënë se anëtari është shkarkuar vetëm pse e ka konfirmuar pjesëmarrjen.

“Mbrëmë në orët e vona jemi njoftuar se njëri nga anëtarët e Serbisë është shkarkuar nga qeveria e Serbisë vetëm pse e ka konfirmuar ardhjen këtu. Dhe sot nuk kemi pas mundësi ta vazhdojmë takimin për shkak të mungesës së kuorumit”, tha ai.

Ministri i ka bërë thirrje BE-së që të bëjë presion në mënyrë që Serbia të mos pengojë punën e kësaj organizate.

“I bëj thirrje Bashkimit Evropian që të bëjnë trysni tek autoritetet serbe që të mos përdorin politikën. Jemi të përkushtuar që këtë takim ta mbajmë por na nevojitet mbështetje se siç po shihet Serbia edhe të rinjtë po i ndan”, u shpreh ai.