75 Mall Live Search
13:11 / E Shtunë, 11 Prill 2020 / indeksADMonline

Serbia vendos izolim total për Zveçanin dhe Mitrovicën e Veriut gjatë vikendit

Zyrtari i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuric, ka thënë se Shteti serb ka vendosur ndalimin e gjithë qarkullimit për vikend në dy komunat e Republikës së Kosovës.

Sipas vendimit të Qeverisë serbe në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan s’do të lejohet fare të ketë lëvizje gjatë vikendeve, shkruan Express.

“Nga 10 prilli është vendosur ndalim ditor i trafikut nga ora 12:00-06:00 në komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit për 14 ditët e ardhshme. Gjatë fundjavave është vendosur ndalim i përgjithshëm i trafikut”, ka njoftuar Gjuric, në një postim në instagram.

Gjuric ka thënë se një pjesë e pacientëve janë vendosur në Serbi kurse pjesa tjetër në Qendrën Klinike në Veriun e Mitrovicës dhe në Qendrën e Studentëve të Mitrovicës së Veriut.

Ndërkohë, Gjuric nuk ka dhënë asnjë shifër nëse ndonjëri prej pacientëve të komunitetit serb ndodhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ndërkohë, në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim për orën policore në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan prej orës 12:00-6:00. Mirëpo, askund në vendim s’shkruan se do të ketë bllokim të gjithë qarkullimit gjatë vikendit.

N vendimin e Ministrisë bëhen të ditura masat e ndërmarra për këto dy komuna të banuara me shumicë serbe. Askund s’është paraparë të bllokohet gjithë qarkullimi për vikend.