75 Mall Live Search
14:25 / E Mërkurë, 28 Gusht 2019 / indeksADMonline

Një serbe nën ndikim alkooli rrezikon pjesëmarrësit në trafik, në rrugën Gjilan-Prishtinë

Me 27 gusht 2019, rreth orës 16:00  Policia e Kosovës (PK) përmes rrugëve operative  ka pranuar një informacion se një veturë e llojit “Pezho” me targa RKS, bënte ngarje të rrezikshme dhe të pakontrolluar.

Sipas informacioneve vetura  ishte duke lëvizur në rrugën magjistrale Gjilan-Prishtinë, në afërsi të fshatit Llajshec.

Policia e Kosovës, me njësitet e trafikut rajonal kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme ku kanë arritur ta identifikonin e ta ndalonin veturën në fjalë të cilën e drejtonte shoferja serbe shtetase e Kosovës.

Nga zyrtarët policor të cilët i janë përgjigjur rastit është vërejtur se shoferja kishte treguar shenja se ishte nën ndikim alkooli, ishte jo stabile dhe me  sjellje të pakontrolluara dhe njëkohësisht pa ndërprerë ka fyer dhe ofenduar zyrtarët policorë, për të cilat PK-ja ka dëshmi.

Për shkaqe sigurie të vetë shoferes dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik, Policia e Kosovës konform procedurave ligjore ka tërhequr automjetin nga qarkullimi rrugor, ndërsa drejtuesja është dërguar në stacionin policor në Gjilan për të vazhduar procedurat e mëtutjeshme ligjore.

Vlen të potencohet se  shoferja edhe gjatë qëndrimit në stacionin policor ku vazhduar sjelljet e njëjta dhe ka refuzuar në mënyrë kategorike t’i nënshtrohej alkootestit. 

Policia e Kosovës lidhur me këtë rast ka njoftuar prokurorin kompetent dhe ndaj saj ka shqiptuar gjobën në bazë të Ligjit 05/L-088 të nenit 245 paragrafi 1.1, të ligjit mbi trafikun rrugor.

Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si edhe sigurisë në trafikun rrugor do të marrë masa ndaj të gjithë shkelësve të ligjit pa dallime./Indeksonline/