75 Mall Live Search
11:03 / E Martë, 06 Korrik 2021 / AR

Sërish dialog në nivel kryenegociatorësh në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë

Një raund tjetër i bisedimeve Kosovë- Serbi pritet të zhvillohet në Bruksel në fund të muajit korrik mes kryeministrit Albin Kurti dh presidentit serb, Aleksander Vuçiq, transmeton “Indeksonline”.

Por, këtij takimi pritet t’i paraprijë një takim tjetër këtë javë në nivele të dyta.

Në këtë takim që pritet të zhvillohet nesër, Kosova do të përfaqësohet nga zv-kryeministri i parë, Besnik Bislimi, ndërsa Beogradin pritet ta përfaqësoj drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq.

Në këtë takim pritet të diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani mes dy vendeve si dhe pritet të shërbejë si përgatitje për takimin e nivelit të lartë mes dy vendeve që do të zhvillohet pas rreth tri jave në Bruksel.

Në takimin e parë të zhvilluar mes Kurtit dhe Vuçiqit kryeministri i Kosovës pati propozuar katër pika, por të cilat janë refuzuar nga ana e palës serbe.

Opozita në Kosovë e kishte kritikuar Kurtin për qasjen e tij në këtë takim si dhe ka kërkuar nga ai të raportoj në Kuvendin e Kosovës, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tani.

Në qeverinë e kaluar në këtë format të bisedimeve, Kosovën e kishte preznatuar ish koordinatori nacional për dialog, Skender Hyseni./Indeksonline/