Sërish zgjedhje në Kosovë, Marta Kos: Nuk jam e kënaqur – mezi pres të kemi një qeveri të re
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos ka folur për Kosovën, duke thënë se s’është e kënaqur që do të ketë sërish zgjedhje.
Megjithatë, ajo në një intervistë për A2CNN tha se demokracia po funksionon dhe për këtë është shprehur e kënaqur.
“Për çështjen e Kosovës, nuk jam e kënaqur që tani do të kenë përsëri zgjedhje, por demokracia e tyre po funksionon dhe jam e kënaqur për këtë. Pse nuk jam e kënaqur? Sepse po presim ratifikimin e dy marrëveshjeve për Planin e Rritjes. Pra, për momentin, Kosova po i bën reformat, por ne nuk mund t’i paguajmë paratë sepse nuk i kemi këto dy marrëveshje”.
“Nga ana tjetër, siç e dini, Kosova, edhe duke mos qenë ende kandidate zyrtarisht, është plotësisht e përafruar me politikën e jashtme dhe të sigurisë evropiane, ashtu si dhe vendi tuaj, Shqipëria. Ju keni marrëdhënie shumë të mira me këtë vend, që do të thotë se nuk mund ta përfytyroj përfundimin e bashkimit të Evropës pa integruar edhe Kosovën në Bashkimin Evropian. Pra, do të punojmë për këtë”, u shpreh ajo.
Kos tha gjithashtu se shpreson që pas zgjedhjeve të ketë një qeveri të re e cila, sipas saj, mund të shtyjë përpara reformat.
“Unë shpresoj se së shpejti, pas zgjedhjeve, do të kemi një qeveri të re dhe pastaj, qeveria është ajo që mund të shtyjë përpara reformat. Dhe jam e sigurt se janë të gatshëm ta bëjnë këtë në aspektin ekonomik. Po ecin shumë mirë. Ata kanë kryer tashmë disa nga reformat, kështu që mezi pres që të kenë një qeveri funksionale dhe efikase dhe, pastaj, do të mund të përshpejtojmë, ndoshta në një moment tjetër, edhe procesin e anëtarësimit”, u shpreh Kos.

