75 Mall Live Search
12:03 / E Hënë, 05 Prill 2021 / Blerim

Sermaxhaj për largimin e Paqaradës nga Kombëtarja: Futbollistët që veprojnë kështu nuk duhet më të ftohen!

Një ditë më parë mbrojtësi i Kosovës, Leart Paqarada njoftoi opinionin se ai nuk do të jetë pjesë e Kombëtares së Kosovës.

Kjo vjen pasi thotë se është i zhgënjyer me çasjen e trajnerit Challandes ndaj tij, shkruan IndeksOnline

Kështu, mbrojtësi tha se përderisa Challandes është pjesë e Kosovës, ai nuk do të grumbullohet me Kombëtaren.

Por, se sa ky veprim është i drejtë, a ndikon kjo në dëm të Kosovës, IndeksOnline ka biseduar me njohësin e futbollit në vendin tonë, Genc Sermaxhaj.

Trajner, Sermaxhaj tha se këto sjellje janë të dëmshme për Kombëtaren e Kosovës por edhe për vetë futbollistin.

“Patjetër që është joprofesionale kjo sjellje e tij. Çdo përgjegjësi e merr trajneri për rezultatin. Prandaj futbollistët duhet të jenë të durueshëm dhe të presin rastin që të dëshmohen. Secili trajner fut në lojë lojtarët më në formë dhe secili dëshiron që ndeshjen ta fitoj. Trajneri merr vendim për çdo gjë dhe për atë mund të shkarkohet ose jo bazuar në rezultatet që ka. Ndërsa, futbollistët duhet të jenë të durueshëm dhe të dëshmohen vazhdimisht”, tha fillimisht tekniku kosovar.

Sermaxhaj, thotë se këto sjellje e dëmtojnë futbollistin e Kombëtaren, madje ai shton se futbollistët që veprojnë kështu nuk duhet të ftohen.

“Këto sjellje padyshim se janë të dëmshme për futbollistin dhe Kombëtaren e Kosovës. Futbollistët që veprojnë kështu nuk duhet më të ftohen në përfaqësuese cilido të jetë ai. Lojtarët e Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm me veprimet e tyre kundër trajnerëve. Ne jemi përfaqësuese e vogël dhe të ndodhi këso gjëra të pahijshme, është e keqe edhe jo profesionale”, përfundoi Sermaxhaj. /IndeksOnline/