17:19 / E Enjte, 09 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Serwer: Haradinaj mos t`i rezistojë demarkacionit

Analisti dhe ish- diplomati amerikan Daniel Serwer e ka dhënë vështrimin e tij për situatën aktuale në Kosovë si dhe paralajmërimet që i shprehu të mërkurën zëvendës ndihmës sekretari amerikan, Hoyt Yee, për liderët e korruptuar në Ballkan.

Serwer duke e komentuar ngërçin që e ka kapluar Kosovën me rastin e shënjimit të kufirit me Malin e Zi, proces ky që ka bllokuar dhe liberalizimin e vizave, thotë se kryeministri Haradinaj është mirë që sa më shpejtë të largohet nga kjo situatë dhe të mos i rezistojë demarkacionit. Siç shprehet ai, Kosova, ka çështje shumë më të mëdha për të cilat duhet shqetësuar.

“Këshilla ime është që të dal nga kjo vrimë lepuri sa më shpejt të jetë e mundur. Kosova ka çështje shumë më të mëdha dhe më të rëndësishme për t’u shqetësuar. Kjo është një çështje që Ramush Haradinaj duhet ta kishte braktisur sapo mori detyrën. Kosova ka pak për të fituar dhe një marrëveshje të madhe për të humbur, nëse ai vazhdon t’i rezistojë demarkacionit”, vlerëson analisti i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer për Express.

Ish- diplomati amerikan ka folur edhe për kërcënimet e vazhdueshme që zyrtarët e lartë serb i bëjnë për një luftë të mundshme me Kosovën. I fundit që bëri deklarata të ngjashme ishte edhe Marko Gjuriq, drejtor i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë. Gjuriq tha se janë të gatshëm të luftojnë në Kosovë, për t’i mbrojtur ato që siç thotë ai, janë të tyre.

Megjithëkëtë, Serwer vlerëson se Gjuriq, duhet ta dijë më mirë, se nuk do të ketë luftime për Kosovën për aq kohë sa forcat e NATO-s janë atje.

“Unë shpresoj se ata do të qëndrojnë deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, duke përfshirë anëtarësimin në OKB për Kosovën dhe shkëmbimin e përfaqësuesve diplomatikë në nivel ambasadorësh. Vërejtjet e Gjuriqit më bëjnë të pyes veten nëse ai është djaloshi i duhur për të kryer një dialog të brendshëm serb mbi këtë temë”, ka shtuar ai.

Tutje, Serwer thekson se Serbia ka nevojë për introspeksion dhe realizëm, e jo fantazi dhe kërcënime.

Përveç situatës me Kosovën, Serwer ka folur edhe për deklaratat e Hoyt Yee, zv/ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, i cili të mërkurën ngriti shqetësime duke thënë se perëndimi duhet të jetë më i prerë me liderët e korruptuar ballkanikë duke mos i ftuar ata në Washington dhe Bruksel.

Serwer thotë se Hoyt Yee dukej serioz kur bënte deklarata të tilla dhe se refuzimi i vizës amerikane të Milorad Dodik, kryetarit të Republikës Serbe, mund të lidhet me këtë.

Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Yee, i angazhuar nga afër së fundmi me Ballkanin Perëndimor, tha se perëndimi duhet të tregohet më i prerë ndaj udhëheqësve të akuzuar për shkelje apo korrupsion në vendet e tyre, duke shtuar se kjo është për të ardhur turp se si udhëheqës politikë të Ballkanit, pavarësisht nga akte të dënueshme, mirëpriten në shumë kryeqytete evropiane, sikur aktet e tyre nuk përbëjnë asgjë të keqe.