09:17 / E Martë, 18 Tetor 2022 / LB

Sezoni i ngrohjes ka filluar, Prishtina HeatSave vazhdon me instalime

Ngrohtorja e qytetit, Termokos, burim i ngrohjes për një numër gjithnjë e më të madh të prishtinasve, ka filluar sezonin e ngrohjes 2022/2023.

Ky sezon e pret Prishtinën me shumë sfida, kryesisht për shkak të krizës energjetike, nëpër të cilën po kalon vendi ynë, dhe jo vetëm. Prandaj Termokos, si ndërmarrje publike e Prishtinës, po bëhet faktor kyç në krijimin e një sistemi energjetik efiçient dhe të pavarur nga kriza e energjisë elektrike.

Kryeshefi Ekzekutiv i ri NP “Termokos”, Fisnik Osmani, i cili ka një eksperiencë të gjatë të punës në këtë sektor, pohon se: “Sezoni 2022/2023 do t’a gjejë Prishtinën me numër të madh të banesave të lidhura në sistemin e ngrohjes me kogjenerim. Aktualisht kemi mbi 16 mijë familje, që do të kenë ngrohje, por numri do të rritet falë planit të zgjerimit të rrjetit dhe modernizimit të nënstacioneve, i cili po implementohet intenzivisht, çdo ditë”.

Një nga projektet kryesore të “Termokos” është edhe Prishtina HeatSave, i financuar nga agjensioni federal amerikan MCC dhe entiteti implementues MFK. Me ndihmën e një granti të madh amerikan, por edhe bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës, mbi 17,000 banesa do të përfitojnë pajisje falas si valvula, koka termostatike dhe alokatorë të ngrohjes.

Ky projekt shumë kompleks nënkupton edhe instalimin e rrjetit komunikues për digjitalizimin e platformës së njehsorëve, por edhe faturimin digjital dhe transparencën totale mbi çmimet dhe shfrytëzimin mujor nga çdo klient.

Burim Hashani, drejtor për energji në MFK deklaroi: “Ne kemi bashkëpunim çdo ditë me “Termokos” dhe me konzorciumin kroat-kosovar, që po implementon këtë projekt. Ka shumë sfida por tashmë i kemi përfunduar 40% të instalimeve për dy muaj dhe deri në verën e ardhshme do të përfundojnë instalimet e parapara në planin tonë”.

Gjatë sezonit të ngrohjes, instalimet do të vazhdojnë me një dinamikë të re dhe kujdes të shtuar, duke bërë shkyçje nga sistemi për kohë shumë të shkurtëra në nivel të banesave dhe nënstacioneve.

“Termokos” dhe Prishtina HeatSave kërkojnë mirëkuptimin e konsumatorëve dhe iu bëjnë thirrje që të bashkëpunojnë me ekipet e instalimit për realizimin e këtij projekti, që iu mundëson atyre kontrollë të plotë në shpenzimet për ngrohje!

Për çdo ankesë rreth mbarëvajtjes së punëve apo instalimeve, Hashani pohon se qytetarët duhet të drejtohen me email. “Projekti Prishtina HeatSave është e përkushtuar të shqyrtojë të gjitha çështjet dhe ankesat, që lindin përgjatë implementimit të projektit, qofshin ato lidhur me punonjësit, procesin e instalimit, produktet, ngacmimit seksual etj. Për të gjitha ankesat në lidhje me procesin e instalimit, kualitetit të produkteve dhe punës së ekipit të Prishtina HeatSave, ju lutem shkruani në: heatsave@termokos.org, ndërsa për të deklaruar raste të ngacmimit seksual, ju lutem shkruani në emailin: sh.heatsave@termokos.org.shtoi Hashani.