75 Mall Live Search
17:18 / E Diele, 19 Prill 2020 / indeksADMonline

Sfeçla bashkë me Qalajn vizitojnë veriun, shkojnë edhe në Bërnjak e Jarinjë

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla ka vizituar veriun e vendit.

Sfeçla bashkë me Drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj kanë vizituar drejtoritë rajonale të policisë në veri por edhe në jug të Mitrovicës, si dhe Njësinë Speciale Operative në kamion ‘Belvedere’ në Mitrovicë si dhe në pikën kufitare në Bërnjak, në komunën e Zubit Potokut.

Sfeçla tha se gjatë këtyre vizitave është konstatuar përgjegjësia e profesionalizmi i policisë në përgjigje ndaj emergjencës shëndetësore, në secilën pjesë të Republikës së Kosovës, që është një dhe e pandashme, transmeton Indeksonline.

Njoftimi pa ndërhyrje:

Policia e Kosovës, anembanë vendit, për sigurinë dhe shëndetin tonë

Në kuadër të koordinimit, organizimit dhe mbikqyrjes së angazhimit të Policisë së Kosovës në luftën kundër pandemisë COVID-19 në të gjithë vendin, sot si u.d i ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Kolonel Rashit Qalaj bëmë vizita në drejtoritë rajonale të policisë në jug e veri të Mitrovicës, po ashtu në Njësinë Speciale Operative në kampin “Belvedere” të Mitrovicës dhe në pikën kufitare “Bërnjak” në komunën e Zubin Potokut. Gjatë këtyre vizitave u konstatua përgjegjësia e profesionalizmi i policisë në përgjigje ndaj emergjencës shëndetësore, në secilën pjesë të Republikës sonë, që është një dhe e pandashme.

Së pari me kolonelin Qalaj vizituam Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës të Mitrovicës-Veriu, ku u pritëm nga komandanti i këtij rajoni, Kapiteni Nenad Gjuriq, zëvendësdrejtori, Major Besim Hoti dhe shefi i hetimeve, Nënkolonel Nenad Simiq. Eprorët e Drejtorisë Rajonale na njoftuan mbi zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19, sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet policia në atë rajon. I përgëzova të gjithë zyrtarët policorë për angazhimin e tyre dhe u zotova se do të vazhdojë mbështetjen e tyre, në mbrojtje të shëndetit dhe jetës së qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike apo fetare.

Më pas vizituam Drejtorinë Rajonale në Mitrovicë-Jug ku u pritëm nga drejtorja e rajonit, Kolonele Afërdita Mikullovci dhe bashkëpunëtorët e saj. Kolonelja Mikullovci më informoi se Drejtoria Rajonale e Mitrovicës-Jug ka kapacitete të mjaftueshme për të menaxhuar situatën, kurse unë sigurova zyrtarët policorë që përkrahja e nivelit qendror nuk do të mungojë.

Vazhdova vizitën e time në Njësinë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, në kampin “Belvedere” në Mitrovicë, ku u prita nga komandanti i togut të dytë, rreshteri Faruk Cetinaj me pjesëtarët e ekipit të tij. Rreshteri Cetinaj theksoi gatishmërinë e tyre për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave nga drejtoritë rajonale nëpër Kosovë.

Në fund të kësaj vizite, vizitova edhe pikën kufitare në Bërnjak të komunës Zubin-Potok, ku u prita nga kapiteni Millosh Dançetoviq me vartësit e tij nga policia kufitare. Gjithashtu, takova edhe ekipin mjekësor dhe atë të Doganave të Kosovës të stacionuar në atë pikë kufitare. U urova festën e Pashkës punonjësve të besimit ortodoks. Nga të gjithë, u njoftova nga afër me masat e marra me qëllim të parandalimit të përhapjes së Covid-19. Inkurajova stafin policor, por edhe të tjerët, që të jenë të vendosur në aplikimin e masave në ruajtje të shëndetit të tyre, familjes dhe të gjithë qytetarëve.

Në të gjitha këto takime u vlerësua mbarëvajtja e kënaqshme e punës, profesionalizmi i punonjësve të policisë, si dhe u çmua angazhimi i të gjithëve në mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve, veçanërisht nga Policia e Kosovës e cila është në vijën e parë të frontit, por po ashtu u vlerësua mirëkuptimi i qytetarëve drejt respektimit në plotni të masave parandaluese. Policia dhe qytetarët janë së bashku e në ndihmë të njëri-tjetrit, që të zbatohen udhëzimet e masat e qeverisë e të profesionistëve shëndetësorë, dhe ta fitojmë luftën kundër virusit me sa më pak dëme.