14:26 / E Enjte, 14 Shtator 2023 / AR

Sfidë për ATK-në monitorimi i obligimeve tatimore të këngëtarëve: Të ardhurat janë të shumta

Duke pasur parasysh të hyrat e larta të këngëtarëve sidomos gjatë sezonit veror Administrata Tatimore e Kosovës bën monitorim specifik të këngëtarëve.

Fitimet e mëdha por deklarimet e obligimet ndaj shtetit janë në numër të vogël. Megjithatë, siç njofton ATK, krahasuar me vitin paraprak (2022) këtë vit ka rritje të deklarimit dhe pagesave për mbi 100%.

Pagesat e kryera nga këngëtarët dhe shtëpitë muzikore për periudhe janar-korrik 2022 janë në vlerë 716, 611 euro, kurse për të njëjtën periudhë të këtij viti kemi pagesat në vlerë 1.6 milion euro. Ndërsa, qarkullimi i deklaruar për vitin 2021 ishte 10.7 milionë euro, kurse në vitin 2022 është 20.9 milionë euro, ndërsa tatimet e paguara nga këngëtaret dhe grupet muzikore për vitin 2022 janë mbi 2 milionë euro, ku në krahasim me vitin e kaluar kemi rritje të deklarimit dhe pagesave për mbi 100%”, thonë nga ATK për Indeksonline.

ATK liston edhe arsyet kryesore për monitorim tatimor të këngëtareve, saktësisht monitorim specifik.

Ata tregojnë se është sfidë në përmbushjen e obligimeve tatimore pasi të ardhurat e tyre mund të jenë të shumta dhe të ndryshme nga burime të ndryshme.

Pse kemi monitorim specifik: një nga arsyet kryesore për monitorimin tatimor të këngëtareve është natyra e punës së tyre. Këngëtarët shpesh përfitojnë nga të ardhurat e tyre nëpërmjet performancave ‘live’, shitjes së albumit të tyre, transmetimeve në radio dhe televizion, rrjeteve sociale, si dhe përmes kontratave të tjera për reklama ose sponsorizimeve. Kjo krijon një sfidë në sigurimin e përmbushjes së obligimeve tatimore, pasi të ardhurat e tyre mund të jenë të shumta dhe të ndryshme nga burime të ndryshme”.

ATK thekson se monitorimi i tyre është i rëndësishëm për të garantuar që ata deklarohen saktësisht dhe tatimet e tyre paguhen në përputhje me ligjin./Indeksonline/