Shabani i LDK-së premton zgjidhje për çështjen e ujit për banorët e Shtimes

Kandidati për kryetar të Komunës së Shtimes nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Kastriot Shabani, ka dhënë një premtim të qartë për zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë të pijshëm në këtë komunë.
Në një videomesazh drejtuar qytetarëve, Shabani ka thënë se problemi i mungesës së ujit të pijshëm ka mbetur i pazgjidhur për dekada, ndonëse kanë kaluar 26 vjet nga përfundimi i luftës.
“Po bëhen 26 vjet nga lufta, e 80% e territorit të Shtimes ka akoma probleme me ujin e pijshëm. A ka ujë në Shtime? Ka, por pak dhe jo mjaftueshëm. Mungon infrastruktura”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, qytetarët janë detyruar që këtë nevojë bazike ta zgjidhin në mënyrë private, përmes puseve apo metodave të tjera alternative. Ai fajësoi qeverisjet e kaluara për neglizhencën ndaj këtij problemi jetik për qytetarët e Shtimes.
“Kush ka faj? Të gjithë ata që kanë qeverisur deri më sot dhe nuk kanë bërë zgjidhje. Kush do ta zgjidhë këtë problem? Ne, me prioritetin dhe përkushtimin më të madh,” u shpreh Shabani.
Ai shtoi se, pavarësisht se qytetarët janë mësuar tashmë me këtë mungesë, ai dhe ekipi i tij nuk do të ndalen derisa të krijojnë infrastrukturën e nevojshme për furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm.
“Injorimi i këtij problemi kaq jetik për qytetin tonë nuk duhet të vazhdojë,” përfundoi Shabani./IndeksOnline/