13:51 / E Martë, 07 Shkurt 2023 / B O

Shaip Kamberi dorëzon propozimin në parlamentin e Serbisë për përdorimin e lirë të flamurit shqiptar

Deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka dorëzuar sot në Kuvend propozimin për lejimin e përdorimit të flamurit shqiptar në Serbi.

Propozimi i Kamberit gëzon përkrahjen edhe të tre deputetëve të tjerë.

“Ndryshimi i Ligjit për pakica për të lejuar përdorimin e lirë të flamurit
Në procedurë parlamentare sot dorëzova propozimin për ndryshimin e Ligjit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave.
Neni 14, alinea 2 e këtij Ligji ndalon përdorimin e simboleve kombëtare “nëse janë identik me simbolet e shtetit tjetër”.
Me propozimin e ri kam kërkuar ndryshimin e plotë të këtij Neni, eliminimin e pengesave për përdorimim e simboleve, me propozimin që simbolet e pakicave të përdoren lirshëm dhe zyrtarisht gjatë tërë vitit në institucionet e vetadministrimit lokal dhe organet shtetërore në të gjitha komumat në të cilat gjuha e pakicave është gjuhë zyrtare.
Në rastet e komunave ku pakicat përbëjnë më pak se 5% të strukturës etnike, me këtë propozim kërkohet lejimi i përdorimit të flamurit në festat kombëtare të pakicave nacionale.
Propozimin për ndryshimin e këtij Ligji e kanë përkrahur edhe kolegët e mi deputet, Enis Imamovic dhe Selma Kucevic nga SDA e Sanxhakut dhe deputeti i pavarur Aleksandar Olenik” shkruan Kamberi në njoftim./Indeksonline/