Shaip Kamberi thotë se do t’i bojkotojë punimet e ardhshme të Kuvendit të Serbisë

Shaip Kamberi, i vetmi përfaqësues i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, njoftoi të martën se ka vendosur ta bojkotojë Kuvendin serb në shenjë proteste ndaj, siç i përshkroi ai, krizës politike dhe institucionale në vend, mungesës së vullnetit politik për t’i respektuar të drejtat e njeriut dhe të pakicave, posaçërisht të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në një njoftim në Facebook, Kamberi renditi një sërë arsyesh për të cilat tha se ka vendosur që “në këto rrethana, nuk do të marr pjesë në punimet e ardhshme të Parlamentit të Serbisë”.
“Shoqëria e vërtetë proevropiane mund të ndërtohet vetëm duke garantuar kushte të barabarta dhe trajtim dinjitoz për të gjithë – përfshirë shqiptarët”, shkroi ai.
Kamberi shtoi se një shoqëri proevropiane “nuk mund të ndërtohet mbi mitet e së kaluarës, as mbi trillimet historike dhe as mbi ambicien për hegjemonizëm në Ballkanin Perëndimor”.
Njoftimi i Kamberit vjen dy ditë pas një proteste masive antiqeveritare në Serbi, ku morën pjesë mijëra demonstrues dhe ku pati përleshje me policinë.
Disa nga aksionet policore janë shoqëruar me arrestime, ndërsa studentët pjesëmarrës në bllokadë kanë akuzuar policinë për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve. Studentët protestues thanë të hënën se në orët e mëngjesit u arrestuan 29 kolegë të tyre.
Kamberi tha se vendimin për bojkotim të Kuvendin e mori po ashtu duke besuar se demokratizimi i Serbisë “nuk është çështje e thjeshtë e ndërrimit të pushtetit, por kërkon vullnet të sinqertë për reformë, respekt për të gjithë qytetarët dhe trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet”
“Në fakt, demokratizimi i vërtetë mund të ndodhë vetëm kur, krahas ndërrimit të pushtetit, ndodh edhe shkëputja përfundimtare nga politika imperialiste e viteve ’90”, tha ai.
Kamberi nuk tregoi sa gjatë do ta bojkotojë Kuvendin serb, por tha se për veprimet e ardhshme politike “do të njoftoheni me kohë”.
Ai theksoi se ka qenë dëshmitar “çdo ditë i shkeljeve të vazhdueshme” të të drejtave themelore të njeriut dhe të komuniteteve pakicë – në veçanti të shqiptarëve.
“Mosnjohja e diplomave, nënpërfaqësimi politik dhe institucional, pasivizimi administrativ dhe mungesa e perspektivës ekonomike janë bërë pjesë e një agjende sistematike që synon shpopullimin e Luginës së Preshevës nga shqiptarët”, tha ai.
Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.
Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.
Shqiptarët në Serbi ankohen se autoritetet atje nuk ua njohin diplomat e Kosovës, kërkojnë integrim nëpër institucionet shtetërore të Serbisë, lejim të përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare dhe për zgjidhjen e çështjes së pasivizimit të adresave.
Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.
Pasivizimi i adresës përcaktohet me ligj në Serbi prej vitit 2011. Ligji parasheh që institucionet të bëjnë kontrolle për të kuptuar nëse një banor jeton në adresën e regjistruar.