75 Mall Live Search
18:07 / E Enjte, 17 Korrik 2025 / H F

Shakaja e adoleshentit për bombë tmerron pasagjerët në avion, përfundon në pranga

Një 16-vjeçar shkaktoi panik në avionin e kompanisë “Spirit Airlines” pasi bëri një shaka të papërshtatshme duke thënë se kishte bombë, ndërsa po përgatitej të nisej nga aeroporti i Fort Lauderdale drejt Kansas City, të hënën pasdite

Komentin, që ai vetë e cilësoi si një “shaka”, e dëgjuan pasagjerë dhe stjuardesa të fluturimit 1332, të cilët e raportuan menjëherë si kërcënim për sigurinë. Si rezultat, avioni i mbushur me pasagjerë u devijua në një cep të aeroportit, nga frika se mund të kishte një shpërthim.

Sherifi i Qarkut Broward dhe forcat e rendit u ngjitën në bord dhe arrestuan adoleshentin. Pasi u konstatua se nuk kishte bombë, pasagjerët u zbarkuan dhe fluturimi u nis me vonesë drejt Misurit.

Adoleshenti, që ishte me pushime me miqtë në Florida, u dërgua në qendrën e të miturve dhe u paraqit në gjykatë të martën. Babai i tij, Phillip Schmidt, u paraqit përmes video-lidhjes nga një kantier ndërtimi dhe kërkoi mëshirë nga gjykata, shkruan A2 CNN.

“Unë besoj se ai po sillej si një 16-vjeçar i papjekur, jo si një kriminel,” deklaroi ai. Në gjykatë, avokati i djalit pranoi se ai kishte thënë frazën “kam një bombë në xhep”, por theksoi se autoritetet nuk specifikuan se ku dhe kur u bë kjo deklaratë.

Gjykatësja Stacy Ross tha se “Spirit Airlines” pretendon një dëm financiar prej 50,000 dollarësh. Ndërkohë, adoleshenti është akuzuar për raport të rremë për bombë dhe dëmtim pronësie mbi 1,000 dollarë. (A2 Televizion)