Shala: A ka Kosova një plan real për rritje ekonomike të qëndrueshme, apo vazhdon të mbetet peng i justifikimeve dhe paaftësisë?

Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se viti 2024 do të mbyllet me një rritje ekonomike prej 4.3 për qind.
Deputeti nga radhët e PDK-së Ferat Shala ka thënë se mesatarja e rritjes ekonomike në Kosovë për periudhën 2010-2019 ishte 4.6% e GDP-së, një periudhë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Ndërsa për periudhën 2020-2024, kjo mesatare ka rënë në 3.61%, përfshirë edhe vlerësimin e BQK-së për 2024 prej 4.3%. Kjo rënie prej 1% sipas tij nuk është vetëm statistikë, por është pasqyrë e mungesës së politikave efektive për të ruajtur dhe përmirësuar stabilitetin ekonomik.
“Rënia prej -5.3% të GDP-së në 2020 u justifikua me pandeminë, por çfarë u bë për të ndërtuar një ekonomi më rezistente? Rritja e 10.7% në 2021 ishte thjesht rikuperim, jo rezultat i strategjive të mirëfillta. Sot, politikat ekonomike po dështojnë të sigurojnë një kurs të qëndrueshëm për të ardhmen. A ka Kosova një plan real për rritje ekonomike të qëndrueshme apo vazhdon të mbetet peng i justifikimeve dhe paaftësisë? Këto të dhëna zyrtare flasin qartë dhe nuk lënë vend për manipulime – Kosova meriton më mirë”, ka shkruar Shala në Facebook.