Shala i PDK-së: Kam probleme shëndetësore, Lladrovci dhe të tjerët po bëjnë fushatë në emrin tim

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka thënë se merr fuqi dhe kurajë për t’i përballuar shqetësimet shëndetësore që i ka këto ditë, atëherë kur i sheh bashkëpartiakët e tij duke e mbështetur.
“Vetëm një parti si PDK-ja, e cila është trashëgimtarja më e denjë e vlerave të demokracisë autentike si dhe e vlerave më sublime njerëzore e kombëtare të popullit tonë, di të jetë kaq e bashkuar dhe shëmbëlltyrë e solidaritetit edhe në ditët si këto.
Nga këtu, unë Ferat Shala, ju dërgojë përqafime vëllazërore!”, ka shkruar midis tjerash ai, transmeton IndeksOnline.
Shkrimi i tij i plotë:
Të dashur miq,
Këtë mëngjes dua t’ju dërgojë të fala dhe falënderime të përzemërta gjithë kolegëve nga dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas, me theks të veçantë kryetarit të komunës, z. Ramiz Lladrovci dhe kryetarit të degës, z. Sejdi Hoxha, të cilët në pamundësi për të qenë vetë, po e vazhdojnë agjendën zgjedhore edhe në emrin tim.
Kur po e shoh se si z. Ramiz Lladrovci i bartë simbolet e mia kudo nëpër aktivitetet elektorale, unë marrë fuqi dhe kurajë për t’i përballuar edhe më me kurajë shqetësimet shëndetësore që i kam këto ditë.
Falënderimet e mia këtë mëngjes janë edhe për të gjithë kolegët e tjerë kandidatë për deputetë: për z. Sejdi Hoxha (nr.35), për z. Ardian Kastrati (nr.32), për z. Petrit Hajdari (nr.70), për znj. Shqipe Zogu (nr.60), për znj. Hyrije Xhemajli (nr.54), për znj. Besa Çeku – Buçinca (nr.48), për z. Fatmir Dugolli (nr.89), për z. Arben Dautaj (nr.79), si dhe për të gjithë aktivistët e palodhur të partisë sonë në Drenas.
Vetëm një parti si PDK-ja, e cila është trashëgimtarja më e denjë e vlerave të demokracisë autentike si edhe e vlerave më sublime njerëzore e kombëtare të popullit tonë, di të jetë kaq e bashkuar dhe shëmbëlltyrë e solidaritetit edhe në ditët si këto.
Nga këtu, unë Ferat Shala, ju dërgoj përqafime vëllazërore!
Ju paça përgjithmonë!