17:53 / E Martë, 28 Mars 2023 / MSH

Shala i PDK-së: Moszgjedhja e guvernatorit e komplikon edhe bordin e Trustit pensional

“Moszgjedhja e guvernatorit me automatizëm e komplikon edhe zgjedhjen e bordit të Trustit pensional të Kosovës.”

Kështu është shprehur deputeti i PDK-së, anëtar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Ferat Shala.

Ai thotë se sipas procedurave, guvernatori është kryesues i panelit për zgjedhjen e anëtarëve të bordeve të Trustit.

“Ne me moszgjedhje të guvernatorit po e lëjmë në mëshirë të nuk e di kujt edhe zgjedhjen e anëtarëve të bordit të Trustit. Ta shohim me ligj si ka mundësi një ushtrues detyre i guvernatorit, si ka mundësi që në panele të jetë anëtar i Trustit”, e shtroi si çështje Shala.

Ai tha se për zgjedhjen e anëtarëve të bordit të Trustit duhet të jetë personi me kredibilitet i zgjedhur, i plotëfuqishëm ligjor, që sipas tij nuk mundet ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të panelit në fjalë. 

“Ne nga sot nuk kemi një anëtar për zgjedhjen e bordit të Trustit”, tha Shala.

Për zgjedhjen e anëtarëve te Trustit panelistë janë ministri i Financave, auditori gjeneral dhe guvernatori.