75 Mall Live Search
14:22 / E Diele, 16 Nëntor 2025 / MSH

Shala i shqetësuar nga rritja e importit të energjisë, fajin ia lë qeverisë

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka ngritur shqetësime lidhur me rritjen e importit të energjisë, me ç’rast, sipas Shalës, është rritur kostoja edhe për qytetarët.

Duke krahasuar rritjen nga viti 2019 e deri më tani, Shala thotë se shpenzimet për import janë rritur në mbi 168 milionë euro në vitin 2024.

Krahas kostos, është rritur edhe sasia e energjisë në importuar: nga 890 mijë MWh në mbi 1.3 milionë MWh.

“Këto shifra nuk janë rastësi. Ato janë pasojë e performancës së dobët të prodhimit vendor, sidomos të termocentraleve të KEK-ut, të cilat vazhdimisht përballen me rënie të njësive, riparime të stërzgjatura dhe efikasitet të ulët” shkroi Shala.

Ai thotë se kriza është krijuar nga keqqeverisja aktuale, shkruan IndeksOnline.

Ky është postimi i plotë i tij:

Rritja e importit të energjisë, kosto që po bie mbi qytetarët

Nga viti 2019 deri në vitin 2025, Kosova ka parë një rritje të madhe të varësisë nga importi i energjisë elektrike. Shpenzimet për import janë rritur nga rreth 50 milionë euro në vitin 2019, në mbi 168 milionë euro në vitin 2024.

Po ashtu, edhe sasia e energjisë së importuar është rritur dukshëm: nga 890 mijë MWh në vitin 2019 në mbi 1.3 milionë MWh në vitin 2024.

Këto shifra nuk janë rastësi. Ato janë pasojë e performancës së dobët të prodhimit vendor, sidomos të termocentraleve të KEK-ut, të cilat vazhdimisht përballen me rënie të njësive, riparime të stërzgjatura dhe efikasitet të ulët.

Çdo mungesë në prodhim duhet mbuluar me import, shpesh me çmime të larta, duke krijuar hapësirë për përfitime të ndërmjetësve dhe tregtarëve.

Në fund, barrën e paguajnë qytetarët, përmes rritjes së tarifave të aprovuara nga ZRRE. Një situatë e tillë nuk ndodh pa koordinim institucional, me Qeverinë e Republikës së Kosovës si përgjegjëse direkte.

Kjo krizë e krijuar nga keqqeverisja aktuale e bën më të domosdoshme se kurrë:

– Investime të qëndrueshme në kapacitete të reja prodhuese

– Përmirësim të menaxhimit dhe llogaridhënies në KEK

– Zbatim të plotë të detyrimeve ligjore në planifikimin energjetik

Sepse siguria energjetike është themeli i stabilitetit ekonomik.

Sa më shpejt të largohet nga pushteti ky mentalitet që bllokon zhvillimin e projekteve të reja, aq më shpejt qytetarët do të kenë furnizim të qëndrueshëm, siguri energjetike dhe çmime të përballueshme.

May be an image of text