Shala: Ky formacion politik i zhytur në afera, të vetmin argument ka populizmin
Deputeti Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës tha se nuk mund të arsyetohet afera korruptive, për të cilën tashmë është ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe tre të tjerëve.
Sipas tij, kjo është edhe arsyeja se si PDK nuk i dhanë votat për Qeveri Kurti, sepse siç tha Shala, dëmi që i është shkaktuar kjo qeveri vendit është shumë i madh.
“Kjo është një aferë që e kemi ngritur herët si Parti Demokratike, në kuadër të Parlamentit të Kosovës, e kemi ngritur përmes konferencave të shtypit, i kemi thënë këto fakte dhe argumente dhe në prezencë të kryeministrit në Parlamentin e Kosovës, e kemi sinjalizuar shumë herët publikisht që duhet të ndërpriten këto dukuri dhe këto problematika, dhe fatkeqësisht nuk ka pasur asnjë reagim qeveritar”.
“Ky formacion politik është jashtëzakonisht i zhytur tashmë në këto afera. Dhe i vetmi argument ka mbet loja politike, retorika, populizmi. Nuk mund të fshehet, aktakuza është fakt”, tha Shala në Klan Kosova.
Ai ndër tjerash tha se nuk ka asnjë përgjigje zyrtare nga niveli më i lartë shtetëror, dhe sipas tij, krejt këto nuk mund të “kamuflohen”.

