Shala: Politikat e Kurtit për energjinë po ndajnë qytetarët e Kosovës në dy kategori

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka kritikuar ashpër Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, duke e akuzuar për krijimin e një sistemi të padrejtë dhe antiligjor në sektorin energjetik të vendit.
Në një postim në facebook, Shala tha se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), si institucion i pavarur dhe i mandatuar nga Kuvendi i Kosovës për të vepruar në tërë territorin e vendit, po minohet nga praktikat aktuale qeverisëse, duke u bërë pjesë e një ndarjeje të qytetarëve në baza regjionale.
Sipas tij, qytetarët e Kosovës aktualisht po trajtohen në mënyrë të pabarabartë, pasi pjesa më e madhe e vendit ndodhet në treg të rregulluar energjetik dhe përballet me rritje të çmimeve të energjisë – deri në tre herë në katër vitet e fundit – ndërkohë që në pjesën veriore të vendit, qytetarët janë në treg të derregulluar dhe nuk po përballen me të njëjtën rritje tarifash.
“Zyrtarisht, z. Kurti me marrëveshjen për energjinë pas katër viteve negociata me Elektrosever-in, i ndau qytetarët e Kosovës në dy tregje të ndryshme energjetike”, shkroi Shala, duke theksuar se rritja prej 16.1% e tarifave në pjesën tjetër të vendit nuk zbatohet në veri.
Ai e quajti këtë situatë “sovranitet improvizues dhe popullist” që, sipas tij, përshkon edhe sektorë të tjerë të ekonomisë, ndërsa vuri në dukje edhe vonesat në formimin e institucioneve si pjesë e një qasjeje të gabuar qeverisëse./IndeksOnline/