75 Mall Live Search
14:09 / E Premte, 03 Tetor 2025 / P M

Shala: Rikthimi i komandës turke në KFOR rikthen besimin dhe garanton mbështetje më të shpejtë operative

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një intervistë ka deklaruar se rikthimi i komandës turke në KFOR ndikon drejtpërdrejt në garantimin e mbështetjen e shpejtë logjistike dhe operacionale.

“Sa i përket përcaktimit të qartë të direktivës së strategjisë së NATO-s 2030, njëkohësisht duke implementuar nevojën operacionale brenda komponentës së KFOR-it, rikthimi i komandës turke përcaktohet qartazi nga përvoja e oficerëve që kanë shërbyer në kuadër të misionit të mëhershëm, pra komanda turke ishte pikërisht këtu në kohën kur ishte Bankowska”, ka thënë Shala.

Ai ka shtuar se ky rikthim është i lidhur ngushtë me funksionimin dhe efikasitetin e proceseve operacionale.

“Rikthimi i komandës turke, mbarvajtja e proceseve operacionale dhe mbështetja operacionale ka ndikuar drejtpërdrejt si të rikthehet besimi ushtrisë turke dhe njëkohësisht, duke marrë për bazë edhe aspektin e distancës të mbështetjes logjistike operacionale, të mbështetjes me personel në rast nevoje, është shumë më e shkurtë edhe shumë më e shpejtë. Prandaj NATO-ja e ka përcaktuar që rajonalizmi i komponentës taktike operacionale të jetë kruciale ajo e cila do të duhej të përcaktojë qartazi edhe nevojë për të garantuar rend dhe siguri në bazë të mandatit dhe rrethanave”.

Ceremonia e ndërrimit të komandës në shtabin e KFOR-it u mbajt të premten në Kampin Film City në Prishtinë. Gjeneralmajori i ushtrisë italiane, Enrico Barduani, ia ka dorëzuar komandën e KFOR-it gjeneralmajorit të ushtrisë turke, Ozkan Ulutash.

Ndryshe, Ulutash është rikthyer sërish në krye të KFOR-it, pozitë të cilën e kishte dorëzuar rreth një vit më parë, më 11 tetor 2024.