Shaqiri e “ringjall” Baselin, interesim i madh për ta parë në stadium

Xherdan Shaqiri është rikthyer në klubin e fëmijërisë dhe do të garoj në elitën e futbollit zviceran.
32 vjecari pritet të jetë në fushë në ndeshjen e javës së pestë që zhvillohet të dielën, ku Baseli do të jetë nikoqir i Yverdonit.
Sipas mediave zvicrane, i gjithë stadiumi është i shitur dhe Shaqiri ka ndikimin e tij pasi kjo nuk ka ndodhur në ndeshjet e kaluara.
Stadiumi i Baselit, “St. Jakob-Park”, ka kapacitet prej rreth 39 mijë ulëseve. Të dielën pritet të jetë i stërmbushur për ta parë nga afër njërin prej lojtarëve më të mirë të futbollit zviceran.
Shaqiri ndeshjen e fundit me fanellën “kuqeblu” të Baselit, e ka zhvilluar më 23 maj të vitit 2012. Ishte paraqitja e tij e 130 me Baselin zviceran. Ndeshjen e 131-të pritet ta luajë më 25 gusht.
Shaqiri me marrëveshje të dyanshme e ndërpreu kontratën me skuadrën e ligës MLS, Chicago Fire, ndërsa te Baseli u kthye pas 12 vjetësh, aty ku e nisi karrierën në vitin 2007.