Sharri s’është për sharra /Policia me aksion në Kaçanik e në Ferizaj: S’kalohet dimri me dru të vjedhura

Policia e Kosovës ka zhvilluar aksione të njëpasnjëshme në komunat Kaçanik dhe Ferizaj, në kuadër të zbatimit të planit operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2025”.
Aksionet janë kryer më 18 shtator në zonën e parkut kombëtar “Sharri” në Kaçanik dhe në fshatin Burrnik të Ferizajt, transmeton IndeksOnline.
Gjatë tri rasteve të ndara dy në Kaçanik dhe një në Ferizaj, njësitet policore kanë konfiskuar tri automjete pa targa, dy sharra motorike, zinxhirë, pajisje pune dhe një sasi të konsiderueshme drunjsh të ngarkuar ilegalisht.

Njoftimi i plotë:
Plani operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2025” në Kaçanik dhe Ferizaj
Më datë 18.09.2025, gjatë zbatimit të planit operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2025”, njësitet policore të stacionit policor në Kaçanik dhe Ferizaj kanë realizuar aksione në zonën e Parkut Kombëtar “Sharri” në Kaçanik dhe në fshatin Burrnik të Ferizajt.
Gjatë tri rasteve të ndara, dy në Kaçanik dhe një në Ferizaj policia ka konfiskuar tre automjete pa targa, dy motor-sharra, zinxhirë, pajisje pune dhe sasi drunjsh të ngarkuar.
Disa persona të dyshuar janë shoqëruar në polici për intervistim dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa në koordinim me autoritetet e Agjencionit të Pyjeve të Kosovës janë ndërmarrë masat ligjore.
Gjithashtu për veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit.
Ndërkohë, policia ka mbetur në kërkim për identifikimin e personave të tjerë që u larguan nga vendi i ngjarjes në Kaçanik, duke braktisur automjetin e ngarkuar me drunj.
Apel për qytetarët
Policia Rajonale e Ferizajt fton qytetarët që të bashkëpunojnë ngushtë me organet e rendit dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të prerjes së pyjeve dhe transportit ilegal të drunjve, duke thirrur në numrin pa pagesë 192, ose duke raportuar në aplikacionin digjital “Lajmëro Policinë”.
Bashkëpunimi i qytetarëve është thelbësor për mbrojtjen e pyjeve, pasurisë natyrore dhe ruajtjen e ambientit të shëndetshëm për të gjithë.
