21:03 / E Mërkurë, 20 Shtator 2023 / Gj. Sh

SHBA: Vdes një vjeçari nga përdorimi i drogës në çerdhe

Një fëmijë njëvjeçar ka vdekur në një çerdhe në New York si pasojë e konsumimit të drogës Fentanyl, i cili konsiderohet 50 herë më i fuqishëm se heroina, raportoi të mërkurën BBC-ja.

Sipas policisë, fëmija tashmë i ndjerë e ka konsumuar drogën pasi ishte e fshehur në dhomën e gjumit nën një dyshek ku ai po flinte.

Tre fëmijë të tjerë janë shtruar në spital pasi u ekspozuan ndaj lëndës narkotike të fuqishme në qendrën e kujdesit ditor në Bronx.

Ndaj dy personave janë ngritur akuza lidhur me rastin.

Hetuesit kanë njoftuar se gjithashtu kanë zbuluar tre presa të përdorura për të paketuar kilogramë droge.

Pronarja e çerdhes “Divino Nino” në Bronx, Grei Mendez, dhe qiramarrësi i saj, Carlisto Acevedo Brito, po përballen me akuza për posedim narkotikësh “me qëllim shpërndarjen që rezulton në vdekje dhe komplot për shpërndarjen e lëndëve narkotike që rezultojnë në vdekje”.

Autoritetet thonë se droga e gjetur nga çerdhja mund të kishte vrarë 500 mijë njerëz.

Sipas prokurorëve, Mendez gjithashtu dyshohet se ka fshirë rreth 20,000 mesazhe nga telefoni i saj para arrestimit.

Autoritetet janë ende në kërkim të bashkëshortit të saj, i cili në dokumentet e gjykatës është identifikuar si bashkëpunëtor. Sipas policisë ai u kap nga kamerat duke u larguar nga vendi i ngjarjes pasi ka ndodhur rasti.

Një avokat i Mendezit ka thënë se klientja e tij i mohon akuzat dhe nuk ishte në dijeni se droga mbahej në çerdhe.