13:32 / E Hënë, 24 Gusht 2020 / indeksADMonline

SHBA, 5.6 milionë të infektuar me COVID-19

Universiteti “Johns Hopkins” njoftoi sot 23.2 milionë raste me COVID-19 në mbarë botën dhe më shumë se 804 mijë vdekje, që nga fillimi i pandemisë. SHBA-ja vazhdon të jetë në krye nga numri i infeksioneve me 5.6 milionë raste.

Por sipas zyrtarëve amerikanë të shëndetësisë, numri i infeksioneve mund të jetë 10 herë më i madh sesa është raportuar. Kjo për shkak të mungesës së testimit dhe raportimit. Ndërkohë të shtunën presidenti Donald Trump akuzoi punonjësit e Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave se po punojnë për të ngadalësuar testimin e vaksinave kundër COVID-19, duke e lënë atë qëllimisht pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Në një postim në “Twitter” zoti Trump shkruante se ngadalësimi është pasojë e të ashtuquajturit “shtet brenda shtetit”, një teori konspiracioni sipas së cilës brenda sistemit politik amerikan ka një komplot nga një qeveri e fshehur brenda Qeverisë së zgjedhur në mënyrë të ligjshme. Por presidenti nuk ofroi ndonjë provë lidhur me këtë pohim të tij.

Komentet e zotit Trump pasojnë një artikull të botuar nga agjencia Reuters të enjten, ku thuhej se një zyrtar i lartë i Administratës së Ushqimit dhe Barnave kishte bërë të ditur se do të largohej nga detyra nëse administrata e Trumpit miraton një vaksinë përpara se ajo të shpallej e sigurt dhe efektive, shkruan VOA, përcjell albinfo.ch.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, u tha gazetarëve të shtunën në Kongres se presidenti Trump bëri një “deklaratë të rrezikshme” për punonjësit e kësaj agjencie dhe se sjellja e tij ishte e papranueshme.