15:26 / E Martë, 09 Mars 2021 / B O

SHBA, Biden paditet nga 12 shtete amerikane

Një grup prej 12 shtetesh amerikane dje ngritën proces gjyqësor kundër urdhrit ekzekutiv të ndryshimeve klimatike të presidentit Joe Biden, duke pretenduar se kjo do të dëmtonte ekonominë amerikane dhe industritë e energjisë së këtyre shteteve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Grupi argumentoi se presidenti dhe administrata e tij nuk kanë autoritetin për të pohuar dhe zgjeruar fuqinë e tyre rregullative federale në shtetet amerikane.

Ata, po ashtu pretendojnë se rregulloret e ndryshimeve klimatike të Bidenit do të kishin ndikim të rëndësishëm ekonomik në prodhuesin më të madh të naftës dhe gazit natyror në botë.

Prokurorët e përgjithshëm të shteteve: Missouri, Arkansas, Arizona, Indiana, Kansas, Montana, Nebraska, Ohio, Oklahoma, South Carolina, Tennessee dhe Utah janë të përfshirë në procesin gjyqësor të ngritur nga prokurori i përgjithshëm i Missourit, Eric Schmitt.

“Prodhimtaria, bujqësia dhe prodhimi i energjisë janë thelbësore për ekonominë e Missourit dhe punësojnë mijëra banorë të Missourit në të gjithë shtetin”, tha Schmitt në një deklaratë.

Në padi theksohet se nëse urdhri i Bidenit mbetet, do të shkaktojë trilionë dollarë dëme të ekonomisë amerikane për dekada, duke humbur vendet e punës, duke ndaluar prodhimin e energjisë dhe duke parandaluar pavarësinë energjetike të SHBA-së.

Urdhri i Bidenit, i titulluar: “Mbrojtja e shëndetit publik dhe mjedisit dhe rivendosja e shkencës për të trajtuar krizën e klimës”, revokoi lejen për zgjatjen e tubacionit të naftës Keystone, ndaloi përkohësisht shpimet në Arktik dhe urdhëroi agjencitë federale të respektojnë politikat mjedisore të administratës.